UBT

“I lamë në rrugë për t’i marrë natën…” – rrëfimi i një babai që humbi dy vajzat në Gjylekar

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Ka rrëfime që nuk mund të tregohen pa u dridhur zëri dhe pa u rënduar fjala. I tillë është edhe kujtimi i Xhavit Sadiku, profesor i gjuhës shqipe, i cili në një të enjte të errët të luftës humbi dy vajzat e tij, Malësoren dhe Shkurtën, në masakrën e Gjylekar. Ishte dita kur frika kishte pushtuar çdo shtëpi dhe kur kolonat e banorëve të pafajshëm kërkonin shpëtim mes krismave që vinin nga të gjitha anët. Në atë rrugëtim të dhimbshëm, mes ikjes dhe shpresës për mbijetesë, plumbat i morën jetën dy vajzave të tij, duke i lënë të shtrira në rrugë, një plagë që as koha nuk e shëron.

Xhavit Sadiku profesor i gjuhës shqipe të cilit në masakrën e Gjylekarit nga forcat serbe i janë vrarë dy vajzat Malësorja dhe Shkurtja thotë se ka qenë ditë e enjte kur ushtria serbe shtinte nga të gjitha anët.

“Nga frika ne filluam ta braktisim fshatin dhe të shkojmë në vende më të sigurta. Por gjatë rrugëtimit tonë ushtria ka shtënë disa herë në drejtim të kolonës së banorëve të pafajshëm. Gjatë ecjes Malësorja dhe Shkurta janë vrarë në duart e vajzës tjetër Drenushës dhe gruas” kujton me emocione Xhaviti.

Xhaviti thotë se janë detyruar që fëmijët e vrarë ti lënë të shtrirë për të shkuar e për ti marrë natën. “Nuk e di kush i vrau fëmijët e mi, por e di që ka pasur mijëra ushtar serb atë ditë në fshat” shprehet Xhaviti.

Ndërkohë, Drenusha Sadiku, vajza tjetër e Xhavitit, e cila i mbijetoi masakrës me dy plagë plumbi në trup, sjell një rrëfim tronditës për ato çaste.

ARKATANA

Drenusha Sadiku, e cila gjatë masakrës ka mbijetuar me dy plumba në trup thotë se derisa po largoheshin për në vende të sigurta ushtria ka shtënë në drejtim të tyre.

“E kisha Malësoren për duar kur e rroku plumbi dhe u shtri për tokë. E kam marrë në duar dhe e kam tërhequr zvarrë derisa është shtënë edhe mbi mua. Jam gjuajtur me dy plumba, njërin në krahun e djathtë dhe tjetrin në krahun e majtë. Dikur edhe unë jam dorëzuar dhe ashtu duke bërtitur dhe qarë e kam lënë motrën shtrirë në tokë dhe vet jam strehuar ashtu e plagosur dhe tërë gjak në trup” rrëfen Drenusha.

Dëshmitarët e kësaj masakre, por edhe Komisioni për hulumtimin e krimeve të luftës në Viti i përbërë nga Sherif Sherifi, Alush Sinani, Hysen Imeri dhe Agim Sylejmani kanë identifikuar si të dyshuar serbët : Goran Vasiq nga Tërpeza komandant i stacionit policor në Viti, Sveta Marinkoviq nga Kllokoti, Sreçko nga Zhegra, Lubisha Bosiq nga Mogilla, Nenadi nga Tërpeza, Dragani automekanik nga Parteshi i Gjilanit si dhe Rambo nga Gjilani.

Në këtë fshat vriten gjashtë persona më 15 prill 1999.

Të vrarët janë :

  1. Sahide Ramadan Ramadani e lindur më 01.04.1940 në Lubishtë të Vitisë
  2. Hatixhe Ali Mustafa (1942) e lindur më 12.04.1940 në Cërrnicë
  3. Shkurte Xhavit Sadiku e lindur më 02.07.1990 në Gjylekar-nxënëse
  4. Malsore Xhavit Sadiku e lindur më 11.05.1995 në Gjylekar –fëmijë
  5. Selami Ismajli i lindur më 25.03.1976 në Gjylekar
  6. Mehmet Ismajli i lindur më 05.06.1980 në Gjylekar./rajonipress/