FIDANISHTJA

Policia në Gjilan me fushatë vetëdijësuese për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet online

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet e lojërave online”, Njësia Sektor dhe Komunitet e Stacionit Policor në Gjilan, në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale dhe zyrtaren Amire Hoxha, kanë nisur një seri aktivitetesh vetëdijësuese me temën “Siguria në Internet”.

Qëllimi i këtyre ligjëratave është rritja e ndërgjegjësimit te fëmijët dhe të rinjtë për rreziqet që vijnë nga përdorimi i pakujdesshëm i internetit, me theks të veçantë në mbrojtjen nga abuzimet online, përfshirë bullizimin digjital dhe format e tjera të keqpërdorimit.

Gjatë prezantimeve, pjesëmarrësve u janë ofruar udhëzime konkrete për mënyrat e mbrojtjes në hapësirën digjitale, si dhe janë shpjeguar procedurat e raportimit në rastet e incidenteve tek organet kompetente.

Mobi Casa

Aktivitetet janë zhvilluar në disa shkolla të komunës së Gjilanit, ku nxënësit e klasave VI–IX kanë marrë pjesë në mënyrë aktive përmes diskutimeve dhe pyetjeve interaktive. Në përfundim të ligjëratave, janë shpërndarë edhe materiale informuese me këshilla praktike për përdorim të sigurt të internetit.

Këto iniciativa synojnë të forcojnë kulturën e sigurisë digjitale dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të sigurt për fëmijët në hapësirën online./rajonipress/