Familja e Zahir Zahirit nga Zarbica në Miresh bëhet me shtëpi të re banimi
Gjilan – Këtë fundjavë është bërë përurimi i shtëpisë së familjes së Zahir Zahirit nga Zarbica të cilët për vite me radhë kanë jetuar në kushte mjaft të vështira.
Me iniciativën e Haxhi Taip Arifit kishte filluar aksioni për grumbullimin e mjeteve materiale për ndërtimin e një shtëpie për këtë familje.
Që në fillim, ishte formuar vullnetarisht një grup inicues të cilët kishin marrë përsipër organizimin dhe mbarëvajtjen e aksionit, e ata ishin: Haxhi Taip Arifi, Refik Hasani dhe Ekrem Sadiku.
Pas përfundimit të projektit, ky këshill në ditën e përurimit ka shprehur falënderime për të gjithë ata të cilët e kanë mbështetur aksionin, si : Xhematin e xhamive të fshatit, bashkëfshatarët e Mireshit dhe Petritit, Shoqatën 17 Shkurti, Familjen e Haxhi Miftarit nga Zarbica në Gjilan, Familjen e Mulla Hasanit nga Zarbica në Petrit, Selman Kçiku nga Mireshi, Abdylmexhid Sylqiqi nga Mireshi, Muhamed Haziri (në shtëpinë e të cilit për vite me radhë kanë qëndruar familja Zahiri, pa kurrfarë kompensimi), si dhe të gjithë të tjerët, të cilët kanë kontribuar në forma të ndryshme deri në përfundimin e këtij projekti.
Ky projekt, duke llogaritur edhe truallin, bunarin, etj., gjithsej ka arritur vlerën 19, 215.00 € , ndërsa në grumbullimin e mjeteve kanë marrë pjesë 69 persona, duke filluar me nga 5 – 1,500 €, ndërsa me rreth 6,500 € kanë marrë pjesë vet familja Zahiri nga kursimet dhe mundësitë e tyre të tjera.
Në ditën e përurimit, Agja Zahir edhe pse në moshë të shtyer nuk harroi t’i falënderojë të gjithë ata të cilët kanë mundësuar realizimin e këtij projekti, duke e lutur Zotin që tu japë shëndet në familjet e tyre ka njoftuar bashkëpunëtori ynë Rexhep Arifi. /rajonipress/


