Nis mësimi me pretime të njëjta
Rreth 400 mijë nxënës kosovarë kanë filluar procesin mësimor të martën, ndërsa rreth 29 mijë nxënës për herë të parë janë ulur në bankat e shkollës. Për edukimin dhe arsimimin e këtyre nxënësve do të kujdesen rreth 30 mijë mësimdhënës.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës ka bërë të ditur se në gjithë vendin ka filluar viti i ri shkollor. Por, ky dikaster qeveritar ka njoftuar se dhjetë shkolla nuk janë hapur për nxënësit për shkak të punimeve në objekte.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë për media se kjo Ministri është e vendosur që ky të jetë vit i kthesave. “Ne kemi shpallur një vit të ngritjes substanciale të cilësisë, po e nisim me moton që të krijojmë shkolla cilësore, shkolla që do të sigurojnë një mirëqenie të përgjithshme familjare, shoqërore dhe shtetërore”, tha ai./zeri/


