Një i ndaluar për dhunë në familje dhe 11 aktakuza brenda 24 orëve në Gjilan
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit ka ndërmarrë një sërë veprimesh ligjore, duke ndaluar një person dhe duke ngritur gjithsej 11 aktakuza ndaj 12 personave për vepra të ndryshme penale.
Sipas njoftimit zyrtar, një person është ndaluar me urdhër të prokurorit kujdestar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”, sipas Kodit Penal të Kosovës.
Ndërkohë, prokuroria ka ngritur njëmbëdhjetë aktakuza që përfshijnë një gamë të gjerë veprash penale. Dy aktakuza janë ngritur kundër tre personave për “Lëndim të lehtë trupor”, ndërsa dy të tjera kundër dy personave për “Mospërfillje të gjykatës”. Po ashtu, dy aktakuza janë ngritur për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Në mesin e rasteve të tjera, një aktakuzë është ngritur për “Vjedhje”, një për “Dhunë në familje”, një për “Vjedhje të pyllit”, një për “Kanosje” dhe një tjetër për “Ndërtim pa leje”.
Autoritetet e drejtësisë kanë theksuar se veprime të tilla janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e rendit dhe ligjit, si dhe për trajtimin me seriozitet të të gjitha rasteve që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve./rajonipress/


