Shkyçje nga ujësjellësi për borxhlinjtë në Gjilan, aksioni i “Hidromorava”me mbështetje të policisë
Gjilan – KRU Hidromorava SH.A ka nisur një aksion për shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit të të gjithë konsumatorëve që kanë dy ose më shumë fatura të papaguara. Ky proces, sipas njoftimit zyrtar, po zhvillohet në bashkëpunim dhe me mbështetje nga Policia e Kosovës.
Nga kjo kompani u bëhet thirrje qytetarëve që të kryejnë pagesat e tyre sa më shpejt, në mënyrë që të shmangin ndërprerjen e furnizimit me ujë. Për konsumatorët që nuk kanë mundësi të shlyejnë menjëherë borxhin e plotë, është ofruar mundësia e riprogramimit të pagesës në këste mujore.
Sipas njoftimit, të gjithë ata që paguajnë borxhin në tërësi ose nënshkruajnë marrëveshje për pagesë me këste do të hiqen nga lista e shkyçjeve dhe nga procedurat përmbarimore.
Zyrtarët e kompanisë theksojnë se pagesa e rregullt e faturave është thelbësore për mirëmbajtjen e sistemit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve. Ata gjithashtu kanë kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga konsumatorët gjatë këtij procesi./rajonipress/

