UBT

Agim Ramadani, “Katana”, strategu që theu kufijtë dhe shkroi pavdekësinë e lirisë

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Në përvjetorin e 27-të të rënies heroike të Agim Ramadani, kujtesa kolektive rikthehet te një figurë që mishëroi në mënyrë të rrallë profilin e ushtarakut modern dhe të intelektualit krijues. Ai mbetet simbol i strategut të përkryer, i cili ndërthurte dijen ushtarake me ndjeshmërinë artistike dhe idealin e lirisë. Ai nuk jetoi vetëm për lirinë, ai u bë vetë mishërimi i saj. Me vizionin e strategut dhe shpirtin e poetit, ai e shkroi historinë me gjak dhe e vulosi me aktin më të lartë të sakrificës. Si dje, si sot dhe si nesër, ai mbetet figura sublime që i dha kuptim lirisë reale të Kosovës, gurthyesi i kufijve që ndanin një komb dhe zëri i pavdekshëm i një ideali që nuk vdes kurrë.

Në historinë e një kombi ka emra që nuk thirren thjesht me zë, por me nderim. Agim Ramadani është një ndër ata emra që nuk lakohet nga koha, nuk zbehet nga harresa dhe nuk i nënshtrohet asnjë ndryshimi tjetër përveç përjetësisë.

Ai nuk jetoi vetëm për lirinë, ai u bë vetë mishërimi i saj. Me vizionin e strategut dhe shpirtin e poetit, ai e shkroi historinë me gjak dhe e vulosi me aktin më të lartë të sakrificës. Si dje, si sot dhe si nesër, ai mbetet figura sublime që i dha kuptim lirisë reale të Kosovës, gurthyesi i kufijve që ndanin një komb dhe zëri i pavdekshëm i një ideali që nuk vdes kurrë.

Lufta dhe vepra e tij përbëjnë modelin e oficerit të kompletuar, një drejtues me vizion të qartë strategjik, por edhe me shpirt të lirë e krijues. I formuar në akademi ushtarake dhe i pasuruar me përvojë ndërkombëtare, Agim Ramadani nuk ishte vetëm luftëtar, por edhe mendimtar i fushëbetejës, i cili e kuptonte luftën si akt çlirimi dhe përgjegjësi historike.

I lindur në Zhegër të Gjilanit më 1963, ai u edukua në frymën e një familjeje atdhetare, duke kultivuar herët ndjenjën e përgjegjësisë ndaj atdheut. Studimet në Akademinë Ushtarake në Zagreb dhe përvoja si ushtarak e më pas si emigrant politik në Zvicër e formësuan më tej si profesionist dhe si njeri me horizonte të gjera kulturore e intelektuale. Në vitin 1998, duke lënë pas familjen dhe jetën e sigurt në mërgim, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u rreshtua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

ARKATANA

Kontributi i tij kulmor lidhet me Betejën e Koshares, një nga momentet më vendimtare të luftës për liri. Si një nga hartuesit dhe drejtuesit e operacionit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, Agim Ramadani udhëhoqi me guxim dhe vendosmëri luftëtarët, duke rrëzuar simbolikisht dhe realisht një ndarje historike mes shqiptarëve. Ai ishte ndër të parët që hoqi gurin kufitar në Koshare, duke e shndërruar këtë akt në një moment të madh të historisë kombëtare.

Më 11 prill 1999, në vendin e njohur si Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht në vijën e parë të frontit, duke dëshmuar se për të, udhëheqja nënkuptonte sakrificë të drejtpërdrejtë. Emri i tij konspirativ “Katana” u bë sinonim i guximit, vendosmërisë dhe udhëheqjes së pakompromis në betejë.

Përveç dimensionit ushtarak, Agim Ramadani ishte edhe krijues. Poezia e tij mbart një ndjenjë të thellë atdhedashurie dhe një intuitë të pazakontë për fatin e vet:
“M’u shterrshin sytë nëse pushoj / lirinë tënde me ëndërrue…” – vargje që sot lexohen si testament shpirtëror i një luftëtari që e jetoi dhe e shkroi lirinë me jetën e tij.

Në vitin 1998, ai u pranua anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve, dëshmi e një personaliteti që kapërcente kufijtë e një profili të vetëm. Ai ishte njëkohësisht strateg, poet dhe simbol i unitetit ushtarak, duke bashkuar luftëtarë nga të gjitha trojet shqiptare në një qëllim të përbashkët.

Sot, Agim Ramadani mbetet figurë e pashlyeshme e historisë sonë kombëtare, një hero që nuk u përkul përballë sfidave, që refuzoi kompromisin me padrejtësinë dhe që dëshmoi se liria nuk është dhuratë, por sakrificë. Vepra e tij vazhdon të jetojë si frymëzim për brezat, ndërsa emri i tij mbetet i skalitur në themelet e lirisë së Kosovës./rajonipress/