Dr. Ismet Uruqi, gardiani i imunizimit në Gjilan: “Parandalimi është çelësi i shëndetit”
Gjilan – Në sistemin shëndetësor lokal, ku përkushtimi dhe përvoja janë thelbësore për mbrojtjen e shëndetit publik, emri i Dr. Ismet Uruqit zë një vend të veçantë si një nga figurat kyçe në fushën e imunizimit. Me mbi tri dekada përvojë në vaksinim, ai vazhdon të jetë një zë i fuqishëm në promovimin e parandalimit si mënyra më efektive për ruajtjen e shëndetit të fëmijëve dhe komunitetit në tërësi.
Në rrugët e qytetit dhe në skajet më të largëta të fshatrave të Anamoravës, aty ku shpesh mungon informimi dhe hezitimi ndaj vaksinimit bëhet pengesë për shëndetin publik, një emër ka qenë i pranishëm pa u lodhur: Dr. Ismet Uruqi. Me përkushtim të rrallë dhe ndjenjë të lartë misioni, ai nuk është mjaftuar vetëm me punën brenda ordinancës, por ka shkuar derë më derë, lagje më lagje e fshat më fshat, për të edukuar, bindur dhe vetëdijesuar qytetarët për rëndësinë jetike të imunizimit.
Figura e tij përfaqëson modelin e mjekut që e sheh profesionin si detyrë shoqërore dhe humane, duke ndërtuar besim te qytetarët përmes komunikimit të drejtpërdrejtë, durimit dhe argumentit profesional. Në një kohë sfidash dhe dilemesh për shëndetin publik, angazhimi i tij mbetet dëshmi e një misioni të vërtetë në shërbim të jetës.
Aktualisht, Dr. Uruqi ushtron detyrën e shefit të programit të imunizimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjilan, ku udhëheq dhe koordinon një nga programet më të rëndësishme për shëndetin publik. Gjatë periudhës së pandemisë, nga 4 maji deri më 20 maj, ky program arriti të vaksinojë 670 foshnja, duke dëshmuar për organizim të mirë dhe angazhim të pandërprerë në mbrojtjen e brezave të rinj.
“Parandalim, në vend të shërimit”, është parimi mbi të cilin Dr. Uruqi e ka ndërtuar gjithë karrierën e tij. Ai thekson se vaksinimi mbetet një nga arritjet më të mëdha të mjekësisë moderne dhe një garanci për të ardhmen e shëndetshme të fëmijëve.
“Pas përvojës mbi tri dekada në vaksinim, me konfidencë pohoj se vaksinimi siguron ardhmërinë e fëmijëve tuaj. Vaksinoni dhe mbroni nga sëmundjet ngjitëse”, shprehet ai.
Në një kohë kur sfidat shëndetësore globale kërkojnë përgjigje të shpejtë dhe profesionale, figura të tilla si Dr. Ismet Uruqi mbeten shtyllë e besimit publik dhe shembull i përkushtimit ndaj misionit human në shërbim të jetës./rajonipress/


