Dy emra të rinj në majat e stomatologjisë: Gjilani fiton specialistë të nivelit të lartë
Gjilan – Sektori i shëndetësisë në Gjilan është pasuruar me dy profesionistë të rinj të nivelit të lartë, të cilët tashmë mbajnë titujt specialist në fushat më të kërkuara të stomatologjisë. Esat Latifi është zyrtarisht specialist i kirurgjisë orale dhe implantologjisë, ndërsa Krenare Uruçi specialiste e ortodoncisë klinike, duke shënuar një arritje të rëndësishme jo vetëm për ta, por edhe për qytetin.
Pas tre vitesh angazhim intensiv, sakrificë dhe përkushtim profesional, çifti Latifi–Uruçi ka kurorëzuar një rrugëtim sfidues akademik dhe klinik, duke dëshmuar seriozitetin dhe përkushtimin ndaj profesionit. Ata tashmë konsiderohen si ekspertë të aftë dhe të gatshëm për të ofruar trajtime bashkëkohore, përfshirë edhe ndërhyrje të ndërlikuara në kirurgjinë orale dhe ortodonci.
Esat Latifi, i njohur për rrugëtimin e tij të suksesshëm profesional, ka pasur një mbështetje të vazhdueshme dhe frymëzim nga stomatologu i njohur Nehat Uruçi, duke ndërtuar një profil të fortë në fushën e kirurgjisë orale.
Në anën tjetër, Krenare Uruçi ka dëshmuar përkushtim të jashtëzakonshëm në ngritjen e saj profesionale, duke u afirmuar si një emër kompetent në ortodonci.
Në një reagim publik, vetë Esat Latifi e cilësoi këtë arritje si një moment kulmor në jetën e tyre profesionale dhe personale. “Tre vite sakrificë, përkushtim dhe një rrugëtim që na sfidoi, por edhe na forcoi si profesionistë dhe si familje.
Kirurgjia dhe ortodoncia nuk janë vetëm profesion për ne, por mision ndaj pacientëve tanë”, ka shkruar ai.
Me këtë sukses, Gjilani fiton dy specialistë të rinj që pritet të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e cilësisë së shërbimeve stomatologjike, duke sjellë standarde moderne dhe qasje profesionale në trajtimin e pacientëve.
Në një kohë kur profesionalizmi i mirëfilltë dhe standardet e larta shpesh mbeten sfidë në sistemin shëndetësor, shfaqja e një tandemi si Esat Latifi dhe Krenare Uruçi përfaqëson një vlerë të rrallë dhe një garanci për cilësi evropiane në shërbimet stomatologjike.
Të bashkuar jo vetëm në jetë, por edhe në misionin e tyre profesional, ata sjellin një model të përkushtimit ndaj dijes, shkencës dhe etikës mjekësore, duke u renditur ndër emrat më premtues në fushën e shëndetit oral.
Me formim të avancuar dhe përgatitje serioze profesionale, ky çift specialistësh mishëron standardet moderne të mjekësisë bashkëkohore, duke ofruar siguri, kompetencë dhe trajtim cilësor për pacientët.
Ata përfaqësojnë një brez të ri profesionistësh me vizion të qartë, të gatshëm që me punë dhe përkushtim të kujdesen për shëndetin oral të gjilanasve, duke e ngritur këtë shërbim në nivelin që meriton.
Ky rrugëtim i rëndësishëm profesional i Esat Latifit dhe Krenare Uruçit është ndërtuar mbi një bazë të fortë ndërkombëtare, duke u realizuar nën mentorimin e profesorëve italianë, të njohur për standardet e larta në fushën e stomatologjisë moderne.
Nën këtë udhëheqje akademike dhe klinike, ata kanë përfituar njohuri të avancuara dhe përvojë praktike sipas modeleve më bashkëkohore evropiane, duke e përkthyer këtë përgatitje në kompetencë profesionale dhe siguri në trajtimin e pacientëve./rajonipress/


