ARKATANA

Daku: Mungesë profesionalizmi apo politizim i profesionalizmit

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Omer Daku ish nënkryetar i komunës së Gjilanit në një bisedë për rajonipress flet për neglizhencën dhe joprofesionalizmin që po e përcjellë qeverisjen komunale, për mungesën e angazhimit konkret për të hartuar projekte konkrete dhe për të thithur investitorët nga jashtë. Daku gjithashtu kritikon edhe projektet e lëna në gjysmë nga pushteti aktual në veçanti atë të lumit Mirusha etj.

RajoniPress: Zoti Daku, keni qenë zëvendës kryetar i Komunës katër vite, tani kaluan dy vite të kësaj qeverisje, si i shihni këto dy vite të qeverisjes, jeni i kënaqur me zhvillimet aktuale apo keni pritur më shumë?

Daku: Dua të jem i sinqertë, nuk kam pritur mrekullira, por nuk kam besuar se do të ketë kaq ngecje, neglizhencë apo edhe joprofesionalizëm të shumë sektorëve nëpër drejtoritë komunale. Kurrë nuk do ta kisha besuar që kjo qeverisje do të startonte me politizim dhe se do të linte anash shumë kuadro profesionale në të cilat është investuar për dy mandate dhe të tillët të paktën të angazhoheshin si zyrtarë profesional në sektorët përkatës (aludoj në ish drejtorët e drejtorive).

RajoniPress: Po ata kanë qenë drejtor politik?

Daku: Edhe më parë ka pasur drejtor me bindje të caktuara politike, por pavarësisht kësaj, më kujtohet se të gjitha kuadrove profesionale të dëshmuara ju është bërë zgjidhje. Por, edhe nga dy mandatet e fundit, drejtorët përkatës, paraprakisht shumica nga ta, kanë qenë zyrtarë apo udhëheqës nëpër sektorët përkatës. Në këto kuadro është investuar për dy mandate me radhë dhe të tillët kanë qenë pjesë e shumë zhvillimeve zhvillimore brenda komunës, prandaj me bindje e them se do të ishin shumë të dobishëm për komunën.

RajoniPress: Atëherë, ku i shihni ngecjet në këtë qeverisje?

Daku: Është e vështirë që me pak fjalë të përshkruhen të gjitha zhvillimet gjatë këtyre dy viteve, por do t`i fokusoja disa: Mendoj se është bërë gabim i madh me shpërndarjen e drejtorisë së inspeksionit nëpër drejtoritë përkatëse, e sidomos atë të sektorit të ndërtimit (sepse kjo formë e tanishme ka dhe konflikt interesi, por edhe e mangët me kuadro profesionale). Besoj se kjo fushë kërkon një shtjellim më të gjerë, profesional dhe me konkret (ne jemi duke percjellur të gjitha zhvillimet dhe shumë shpejt do të dalim me gjendjen reale në këtë fushë nga këndvështrimi ynë).

Një ngecje e madhe është duke ndodhur edhe në fushën e mobilitetit dhe ndriçimit publik, ku kjo qeverisje e ka të gatshme strategjinë në këto dy fusha dhe se do të duhej vetëm implementimi i tyre. Zgjidhja e problemeve të udhëkryqeve që kishte filluar mandatin e kaluar përmes rrethrrotullimeve apo semaforëve ( aty ku nuk kishte mundësi tjera) nuk do të duhej në asnjë mënyrë të ndalej sepse të gjitha prioritetet dhe matjet janë të përcaktuara dhe të gatshme për të ecur tutje (strategji të aprovuara edhe në kuvend në mënyrë unanime).

Kishim punuar kohë të gjatë, përgatitur dhe përfunduar të gjitha procedurat për transportin publik/urban, ku kishim arritur deri në fazën e tenderimit dhe besohej se kjo do të realizohej shumë shpejtë, por edhe pse ishte premtuar edhe nga kjo qeverisje se ky projekt do të realizohej (që vitin e kaluar), fatkeqësisht ende nuk po vërehet se ka lëvizje në këtë drejtim.

Do të ishte e dëshiruar që angazhimi për hapjen e rrugëve alternative të jetë në kontinuitet ashtu siç ndodhte në qeverisjen e kaluar (psh. rasti te tregu i gjelbërt me rrugën e Malishevës, rasti i rrugës në Dardani me të ashtu quajturën rruga “qarkore”, pastaj rasti i rrugës “Jugu l” etj.

UBT

Është brengosës, formimi i komisioneve për pranime teknike dhe mbikëqyrje të cilat janë vetëm brenda një rrethi të caktuar dhe jo të kompletuara me kuadrot profesionale. Ju kujtoj, në qeverisjen e kaluar kanë qenë mbi 90% e të gjithë inxhiniereve të Gjilanit të angazhuar në komisionet për mbikëqyrje dhe pranime teknike (pa dallim te bindjeve politike), te cilat është shumë e lehtë të vërtetohen.

Nuk po arrij të vërej një trupë profesionale për hartimin e projekteve për sjelljen e investimeve nga donatorët e jashtëm, dhe poashtu ende nuk po arrij të vërej angazhimin konkret dhe profesional për hartimin e strategjisë për zhvillim ekonomik pa të cilën komuna nuk mund të ketë objektiva të bazuara dhe qëndrueshme.

Personalisht e shoh si domosdoshmëri PPP (Partneritetin Publik Privat), sepse edhe kjo hap mundësinë për investime dhe zhvillim të komunës.

RajoniPress:Është bërë si praktikë që opozita të kritikojë, kurse pozita të lavdërohet me punët e realizuara, cili është komenti juaj?

Daku: Nuk konsideroj se janë kritika, por vullnet për zhvillim të komunës dhe kontribut nga këndvështrimi im. Konsideroj se është në interes të kryetarit dhe qeverisjes lokale që të ketë opozitë sa më aktive, sepse opozita është monitoruesja më e mirë, përmes së cilës mund të vërehen edhe lëshimet eventuale në çdo fushë ndaj të cilave do të mund të merreshin masat konkrete, por në raste të caktuara, konsideroj, se edhe po të kërkohet ndihmë profesionale (qoftë nga opozita, qoftë nga shoqëria civile) në çfarëdo fushe do të ishte intelektuale dhe vizionare.

Dua të rikujtoj se gjatë qeverisjes së kaluar është bërë matja e 28 indikatorëve duke përfshirë të gjitha fushat ( në mënyrën më të mire profesionale dhe 100% reale), ku rezultatet janë të njohura. Prandaj kësaj qeverisje i takon dhe obligohet që të bëj rimatjet e këtyre indikatorëve dhe të bëj krahasimet dhe ato flasin më së miri…

Për rastin e lumit “Mirusha”, realiteti në teren flet vet dhe nuk do koment. Kam bindjen se edhe mandatin e ardhshëm do të jetë kjo temë. Ky projekt duhet të përfundojë sa më shpejtë, por kjo do të mund të realizohet vetëm atëherë kur ky projekt menaxhohet tërësisht nga kuadrot vërtetë profesionale dhe pa ndikim. Realizimi i këtij projekti është shumë më i ndërlikuar se sa që shihet në shikim të parë…

RajoniPress: zoti Daku, diçka për fund?

Daku: Do ta përfundoja me një fjali: Mos të punojmë që të merremi me probleme, por të punojmë që të mos ndodhin probleme!

Mund të ju interesoj:

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.