Interplast Trocal, model suksesi industrial dhe ambasador i prodhimit kosovar në tregjet ndërkombëtare
Gjilan – Një ndër historitë më të suksesshme të prodhimit vendor, kompania Interplast Trocal në Gjilan, vazhdon të dëshmojë fuqinë e industrisë kosovare përmes inovacionit, cilësisë dhe zgjerimit të vazhdueshëm në tregjet ndërkombëtare.
Në kuadër të një vizite zyrtare, drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Haki Huruglica, ka qëndruar në ambientet e kompanisë, ku është pritur nga Kryeshefi Ekzekutiv, Arian Xhymshiti.
Gjatë këtij takimi është prezantuar nga afër puna, proceset prodhuese dhe zhvillimet më të fundit që e bëjnë këtë kompani një ndër shtyllat kryesore të industrisë në vend.
E specializuar në prodhimin e dritareve dhe dyerve PVC dhe alumini, si dhe sistemeve moderne të fasadave, Interplast Trocal operon sipas standardeve më të larta evropiane, duke integruar teknologji bashkëkohore dhe praktika moderne të prodhimit.
Si pjesë e grupit ndërkombëtar Profine Group, kompania ka arritur të depërtojë me sukses edhe në tregjet e jashtme, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e eksporteve, hapjen e vendeve të reja të punës dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik lokal.
Vizita u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të thelluar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të mbështetur më tej ndërmarrjet që përfaqësojnë potencialin real të ekonomisë së Kosovës./rajonipress/


