Përkujtim solemn i dëshmorëve të 5 prillit në Smirë dhe Lubishtë
Viti – Në një ceremoni të mbushur me emocion dhe respekt, sot u përkujtua rënia heroike e dëshmorëve të 5 prillit të vitit 1999 nga fshatrat Smirë dhe Lubishtë. Homazhet u zhvilluan nën drejtimin e kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve komunale, subjekteve politike, organizatave të dala nga lufta, familjarëve të dëshmorëve dhe qytetarëve të shumtë.
Në varrezat e dëshmorëve, delegacioni vendosi lule dhe nderoi sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Përtej homazheve, sot në shkollat që mbajnë emrin e dëshmorëve të rënë më 5 prill 1999, nxënësit, në bashkëpunim me mësimdhënësit e tyre, do të zhvillojnë programe kulturore e artistike, duke ruajtur kujtimin dhe mesazhin e tyre të përjetshëm për brezat e rinj.
Ky përkujtim vjen si një shenjë nderimi dhe reflektimi për guximin, përkushtimin dhe sakrificën e dëshmorëve të Kosovës, të cilët mbeten shembull i lartë i heroizmit dhe dashurisë për atdheun./rajonipress/


