ARKATANA

Bordi i Paqes e mirëpret angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të avancuar paqen dhe rindërtimin në Gazë

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Bordi i Paqes ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e trupave të Forca e Sigurisë së Kosovës në Gazë, duke e mirëpritur këtë angazhim.

Në një postim në rrjetin social X, Bordi i Paqes theksoi mbështetjen për vendimin e institucioneve të Kosovës.

“Bordi i Paqes e mirëpret angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për të avancuar paqen dhe rindërtimin në Gazë”, thuhet në reagim.

Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, tha se “jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe të ndihmojmë popullin e Gazës, sepse edhe vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se përmes këtij angazhimi Kosova synon të dëshmojë se është një partnere e besueshme dhe e gatshme të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes dhe sigurisë.

“Ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të shtetit tonë, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe e vendos republikën tonë në radhën e shteteve që jo vetëm përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë vazhdimisht në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar”, tha ai.

Vendimi për dërgimin e trupave u miratua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur më herët se propozimvendimi për këtë çështje ishte përcjellë në Qeveri më 3 mars.

Vendimi i Qeverisë vjen pasi funksionalizimi i punës së Kuvendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 25 mars, ka hapur rrugën për trajtimin e çështjeve të tilla.

Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes, e ka mbështetur publikisht këtë nismë. Mandati i saj presidencial përfundon më 4 prill.

Sipas raportimeve të transmetuesit publik izraelit KAN, Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të nisë angazhimin në Gazë nga muaji maj, përfshirë edhe dhjetëra ushtarë nga Kosova, megjithëse institucionet në Prishtinë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë afat.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se fillimisht planifikohet dërgimi i mbi 20 ushtarëve të specializuar në fusha të ndryshme, përfshirë njësitë për deminim dhe eliminim të mjeteve të pashpërthyera (EOD), operacione speciale, planifikim dhe ekipe mjekësore.

Zyrtarët e ministrisë kanë bërë të ditur se janë në koordinim të vazhdueshëm me strukturat e FNS-së dhe se është caktuar edhe një ushtarak ndërlidhës për përgatitjen e dislokimit.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të ketë për detyrë stabilizimin e situatës së sigurisë në Gazë, pas luftës që nisi në tetor të vitit 2023, kur Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje.

Uji Dea

Sulmet pasuese izraelite në Gazë shkaktuan dhjetëra mijëra viktima, krizë humanitare dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

Plani për krijimin e kësaj force është pjesë e një pakoje më të gjerë për arritjen e paqes, e cila është pranuar nga palët në konflikt.

Kjo nuk do të ishte hera e parë që FSK-ja dislokohet jashtë vendit. Më 2021, ajo mori pjesë në një mision në Kuvajt në bashkëpunim me forcat amerikane, ndërsa më 2022 në Ishujt Falkland, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.

FSK-ja është aktualisht në proces të shndërrimit në ushtri të plotë, proces që pritet të përfundojë deri në vitin 2028.

Në fund të mbledhjes, Qeveria mori edhe disa vendime të tjera, përfshirë ndarjen e një shpërblimi financiar për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), pas fitores së Kosovës në ndeshjen e plejofit që e afron drejt kualifikimit për Kupën e Botës.

Po ashtu, ekzekutivi miratoi edhe pagesën e pagës së 13-të për rreth 91.2 mijë punonjësit e angazhuar në sektorin publik, në nivelin lokal dhe qendror./Telegrafi.

Feride Rushiti – zëri i të mbijetuarve dhe simbol i përkushtimit për drejtësi në Kosovë

Gjilan – Në mesin e figurave më të rëndësishme të angazhimit për të drejtat e njeriut në Kosovë, Feride Rushiti qëndron si një simbol i përkushtimit të palëkundur ndaj drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Si Drejtoreshë Ekzekutive e Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ajo ka udhëhequr për vite me radhë përpjekjet për mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave të luftës, veçanërisht të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Me një përkushtim të rrallë dhe një ndërgjegje të pastër që e ka udhëhequr në çdo hap të misionit të saj, Feride Rushiti përfaqëson një nga zërat më të fuqishëm të humanizmit dhe drejtësisë në Kosovë. E palëkundur përballë sfidave dhe e vendosur në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, ajo ka ndërtuar një rrugëtim që tejkalon profesionin, duke u shndërruar në simbol të shpresës dhe mbështetjes për të mbijetuarit e traumave më të rënda.

Feride Rushiti është një emër që nuk kufizohet në një profesion apo një titull – ajo është zëri i ndërgjegjes njerëzore që ka udhëtuar përtej kufijve për të treguar të vërtetën e Kosovës. Kudo që ka shkelur, ajo ka bartur me vete historitë e dhimbjes, por edhe të qëndresës, duke i shndërruar ato në thirrje për drejtësi dhe dinjitet njerëzor.

Në tribunat ndërkombëtare, në takime diplomatike apo në hapësira akademike, Feride Rushiti ka folur pa hezitim për të drejtat e njeriut, duke i mbrojtur ato me guxim dhe dinjitet të rrallë. Fjala e saj ka qenë e qartë, e drejtë dhe e mbështetur në një përvojë të thellë njerëzore, duke bërë që Kosova të dëgjohet dhe të kuptohet në mënyrë autentike.

Ajo nuk është vetëm një përfaqësuese e një kauze, por një forcë që ka ndikuar në ndërgjegjësimin global për plagët e luftës dhe për nevojën e shërimit kolektiv. Me përkushtimin e saj të palëkundur, Rushiti ka arritur të avancojë jo vetëm çështjen e të mbijetuarve, por edhe vetë imazhin e Kosovës si një vend që kërkon drejtësi, barazi dhe respekt për çdo njeri.

Në rrugëtimin e saj, ajo mbetet simbol i një gruaje që nuk hesht, që nuk dorëzohet dhe që, mbi të gjitha, beson se e drejta dhe humanizmi duhet të jenë gjithmonë mbi çdo kufi.

Me profesion mjeke, Rushiti ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme duke ndërthurur ekspertizën mjekësore me aktivizmin humanitar. Nën drejtimin e saj, qendra është shndërruar në një institucion kyç në ofrimin e shërbimeve psikosociale, ligjore dhe mjekësore për viktimat e torturës dhe traumave të luftës.

Angazhimi i saj nuk është kufizuar vetëm në ofrimin e ndihmës direkte, por edhe në ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe ndërkombëtare për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ajo ka qenë një zë i fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave të të mbijetuarve, duke kontribuar në proceset e njohjes dhe institucionalizimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Për punën e saj të palodhshme, Feride Rushiti është vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare, duke përfshirë edhe çmime prestigjioze për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo konsiderohet një ndër figurat më të respektuara në këtë fushë, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.

Kontributi i saj vazhdon të jetë thelbësor në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të ndjeshme ndaj viktimave, duke dëshmuar se përkushtimi, profesionalizmi dhe guximi mund të sjellin ndryshim të vërtetë në jetën e njerëzve.