Fundamenti

Hyseni dhe Ardita Sinani, thonë se Gjilani mbetet shtëpi e hapur për Luginën

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Kryetari i komunës, Alban Hyseni, priti në takim kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ku kanë biseduar lidhur me funksionalizimin e sportelit për pranimin e dokumenteve për të huaj në Qendrën për Pajisje me Dokumente të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Gjilan.

I pari i Gjilanit, tha se: sot pritën në takim kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Ai tregoi se një nga pikat kryesore të bisedës ishte funksionalizimi i sportelit për pranimin e dokumenteve për të huaj në Qendrën për Pajisje me Dokumente të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila tashmë po shërben si adresë kryesore për të gjithë banorët nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, e vende tjera.

“Përmes kësaj zyre, po lehtësojmë procedurat administrative dhe po punojmë intensivisht për t’u dhënë zgjidhje përfundimtare problemeve me dokumentacion dhe lejeqëndrim”, tha Alban Hyseni.

Kryetari i komunës theksoi se Gjilani mbetet shtëpi e hapur për Luginën, andaj bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të thellohet në çdo fushë, nga projektet infrastrukturore deri te mbështetja sociale e kulturore.

“Faleminderit mikes time Arditës për vizitën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm”, tha Hyseni.

Ndërsa kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha se sot në Gjilan zhvilluan një takim të rëndësishëm me kryetarin e komunës, Alban Hyseni, ku diskutuan për funksionalizimin e sportelit për pranimin e dokumenteve për të huaj në kuadër të Qendrës për Pajisje me Dokumente të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili tashmë u shërben qytetarëve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

UBT

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të procedurave dhe zgjidhjes së çështjeve të dokumentacionit dhe lejeqëndrimit për qytetarët tanë”, tha Ardita Sinani.

E para e Preshevës, tregoi se në kuadër të kësaj vizite, zhvilluan edhe një takim pune në këtë zyrë, ku u njoftuan nga afër me ecurinë e aplikimeve, si dhe me sfidat dhe nevojat aktuale në ofrimin e shërbimeve.

“Theksuam rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe avancimin e pozitës së qytetarëve tanë”, tha Sinani.

Kryetarja shtoi se Gjilani mbetet një derë e hapur për Luginën dhe bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të forcohet në të mirë të përbashkët.

“Faleminderit për mikpritjen dhe bashkëpunimin”, tha Ardita Sinani./rajonipress/