ARKATANA

“Gjinia dhe Uji” në fokus, “Hidromorava” shënon Ditën Botërore të Ujit me aktivitete ndërgjegjësuese

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – KRU Hidromorava Sh.A. ka shënuar më 23 mars Ditën Botërore të Ujit, një ngjarje ndërkombëtare që prej vitit 1993 vë në pah rëndësinë e ujit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të tij. Tema e këtij viti, “Gjinia dhe Uji”, i kushtohet rolit të grave në sektorin e ujit, duke theksuar kontributin e tyre si profesioniste, shkencëtare dhe vendimmarrëse.

Në kuadër të kësaj dite, “Hidromorava”, organizoi një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese dhe edukative. Në bashkëpunim me nxënës të gjimnazit, u shpërndanë fletushka informuese për rëndësinë e ruajtjes së ujit dhe përdorimit të tij racional.

Po ashtu, u realizua një vizitë studimore me nxënëse të interesuara për fusha si hidroinxhinieria, biokimia dhe elektroinxhinieria, të cilave iu prezantuan mundësitë akademike dhe përvoja praktike e stafit profesional të kompanisë.

Një tjetër aktivitet i rëndësishëm ishte tryeza diskutimi me stafin, ku u trajtuan përvojat e grave në pozita udhëheqëse, sfidat me të cilat përballen dhe strategjitë për përmirësimin e menaxhimit të burimeve ujore.

UBT

Në përmbyllje të aktiviteteve, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit për kursimin e ujit, respektimin e procedurave për kyçje në rrjetin e ujësjellësit, si dhe mbrojtjen e burimeve natyrore.

Nga KRU “Hidromorava”, Sh.A. u bë e ditur se angazhimi për një menaxhim të qëndrueshëm të ujit mbetet prioritet, me synimin për të garantuar shërbime cilësore dhe një mjedis të shëndetshëm për të gjithë qytetarët./rajonipress/