Naim Aliu uron Fitër-Bajramin: Festa e sakrificës, solidaritetit dhe besimit që na bashkon
Gjilan – Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër-Bajramit, duke e cilësuar këtë ditë si një moment të shenjtë reflektimi, falënderimi dhe përkushtimi ndaj vlerave më të larta njerëzore dhe fetare.
“Të nderuar vëllezër dhe motra! Nesër, më 20 mars 2026 është dita e parë e Fitër-Bajramit, ndaj me këtë rast, kam kënaqësinë që në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan dhe në emrin tim personal, t’i përgëzojë të gjithë besimtarët për përmbushjen e njërit prej obligimeve kryesore të fesë islame, dhe t’ua uroj Fitër – Bajramin, duke e lutur Allahun e Madhërishëm që të na ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetet dhe punët e mira që i kemi bërë gjatë këtij muaji në shenjë respekti ndaj Krijuesit Fuqiplotë”, thuhet në mesazhin e tij.
Ai theksoi se festa e Fitër-Bajramit përmbledh në vetvete vlerat më të larta shpirtërore që janë kultivuar gjatë muajit të Ramazanit, si adhurimi, bamirësia, solidariteti dhe përkujdesja ndaj të tjerëve.
Sipas tij, kjo festë është një moment krenarie për çdo besimtar që ka përmbushur me devotshmëri obligimet fetare.
“Festa e Fitër – Bajramit ngërthen në vete rikujtimin dhe përkushtimin ndaj Krijuesit të gjithësisë, të cilin besimtarët me të madhe e shprehën edhe gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit. Na bashkoi adhurimi ndaj Zotit, bamirësia, mirëkuptimi, zeqati e sadakaja, solidariteti dhe përkujdesja ndaj të varfërve, ndaj nesër krenarë e ballëhapur e festojmë Fitër- Bajramin. Le të frymëzohemi edhe me këtë rast, nga këto momente më të bukura për besimtarin ngase ai sot përfundon agjërimin e muajit të Ramazanit, kryen një obligim që i ka caktuar Zoti, dhe me të drejtë pret të shijoj begatitë që ka dhuruar i Madhi Zot për njeriun, ndaj duhet vazhduar me vepra të mira, në mënyrë që Zoti të jetë i kënaqur me veprat tona, ngase të gjithë bashkë jemi përgjegjës para Zotit për veprat tona”, ka theksuar ai.
Në mesazhin e tij, Aliu vuri theks të veçantë edhe në rëndësinë e vlerave universale që promovon feja islame, si dashuria, mëshira, toleranca dhe paqja, duke i ftuar qytetarët që këto virtyte t’i shndërrojnë në pjesë të përditshmërisë së tyre.
“Të nderuar qytetarë! vëllezër e motra! Kurani mbështet konceptet e moralit, dashurisë e mëshirës, përkushtimit e sakrificës, tolerancës dhe paqes. Besimtari i pajisur me këto virtyte përhap dashuri, respekt, harmoni e kënaqësi për të gjithë njerëzit që janë të prirë të punojnë vepra të mira. Islami nëpërmjet agjërimit dhe adhurimeve të tjera i ka pastruar shpirtrat e njerëzve nga urrejtja e xhelozia, i ka dëlirësuar nga egoizmi, pangopësia e koprracia duke i udhëzuar në respekt ndaj njëri-tjetrit, në ngritjen e një shoqërie humane, në të cilën gjykon dashuria hyjnore, e ngritur mbi principe të fuqishme të drejtësisë, bamirësisë e mëshirës”, thekson më tej ai.
Në përmbyllje, ai u bëri thirrje të gjithë besimtarëve që të vazhdojnë me vepra të mira dhe të mos harrojnë ata që kanë nevojë për ndihmë.
“Nisur nga këto parime unë ju porosis të gjithëve që të shtrini dorën e ndihmës ndaj skamnorëve, jetimëve dhe të gjithë atyre që janë në nevojë. Ashtu si ishim të bashkuar, human e të dinjitetshëm, tolerant e të disiplinuar gjatë muajit të agjërimit, ashtu duhet të jemi bashkë e unik gjithëherë për të çuar përpara vendin tonë atje ku synojmë të gjithë. Në fund më lejoni që edhe një herë t’ua uroj nga zemra Fitër- Bajramin të gjithë vëllezërve e motrave tona, kudo që gjenden. Me fat ju qoftë festa Fitër- Bajrami!”, përfundon urimi i kryetarit të KBI-së në Gjilan, Naim Aliu./rajonipress/


