Fundamenti

Kur lista e pritjes shndërrohet në listë të vdekjes

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Për shumë pacientë nga rajoni i Anamoravës, ajo që në letër quhet “listë pritjeje” për ndërhyrje kirurgjikale në QKUK, në praktikë po shndërrohet në një makth të gjatë dhe shpesh fatal. Të detyruar të presin me vite për një termin operimi, shumë prej tyre përfundojnë në ambulanca private, të drejtuara pikërisht nga të njëjtët kirurgë që punojnë edhe në QKUK.

Në disa raste, pritja nuk përfundon me operim, por me vdekje. Ka pacientë që nuk e arritën kurrë ditën e ndërhyrjes. Ata u shuan duke pritur një termin që nuk erdhi kurrë.

Kjo nuk është më thjesht një problem administrativ apo menaxherial. Kjo është një plagë e rëndë morale dhe institucionale. Si është e mundur që një pacient të presë tre vite për një ndërhyrje jetike dhe në fund të vdesë pa e realizuar shpresën e tij për trajtim? Kur sistemi shëndetësor i lë qytetarët të vdesin në pritje, kemi të bëjmë me një dështim të rëndë institucional, në kufijtë e krimit shëndetësor.

Paradoksi është i hidhur: të njëjtët mjekë, të njëjtët kirurgë që punojnë në sallat e operimit të QKUK-së, janë edhe pronarë apo bashkëpunëtorë në ambulanca private. Pacientët mbahen në lista pritjeje të pafundme në sistemin publik, ndërsa në sektorin privat, me pagesë të majme, ndërhyrja realizohet pothuajse menjëherë.

Shumë pacientë nga Anamorava perceptohen si “të përballueshëm financiarisht”, sepse një pjesë e tyre punojnë në diasporë. Por kjo nuk mund të jetë arsye që sëmundja e tyre të shndërrohet në mundësi për përfitim.

Lista e pritjes, që në parim është menduar për të garantuar radhë dhe drejtësi në trajtim, në praktikë po deformohet. Në vend që të jetë një mekanizëm organizimi, ajo po shndërrohet në një mekanizëm presioni: pacienti lodhet me muaj e vite pritjeje, derisa më në fund detyrohet të zgjedhë rrugën e operimit privat, shpesh tek i njëjti kirurg.

Mobi Casa

Në këtë realitet tragjik, disa pacientë nga Anamorava tashmë kanë humbur jetën pa arritur të marrin ndërhyrjen e nevojshme, qoftë kardiake, abdominale apo vaskulare.

Pyetja që mbetet pezull është e dhimbshme: pse kjo heshtje? Pse kjo mosreagim i shoqërisë dhe institucioneve?

Si mund të tolerohet një situatë ku pacientët ndihen të detyruar të paguajnë ryshfet – qoftë kirurgut, anesteziologut apo ndërmjetësve të padukshëm brenda administratës – vetëm për të siguruar një ndërhyrje që duhet të jetë e garantuar nga sistemi publik?

Nëse ekziston vullnet për drejtësi, një Task Forcë e Prokurorisë së Kosovës duhet të zbresë në QKUK dhe të hetojë seriozisht këtë realitet. Mjafton të krahasohen listat e pritjes, kush ka pritur me vite pa u operuar në QKUK, kush është operuar më pas në klinika private dhe më tragjikja, kush ka vdekur ndërkohë duke pritur.

Sepse në një shoqëri normale, lista e pritjes nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet kurrë në listë të vdekjes./rajonipress/