ARKATANA

Musliu: Deponitë ilegale pasojë e mungesës së kontejnerëve, kërkohet sensibilizim dhe ndëshkime më të ashpra

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Viti – Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Vitisë, Arton Musliu, ka deklaruar se një nga arsyet kryesore të krijimit të deponive ilegale të mbeturinave është mungesa e kontejnerëve që duhet t’i ketë pothuajse çdo familje.

Sipas tij, përveç investimeve në infrastrukturën e menaxhimit të mbeturinave, është i domosdoshëm edhe një sensibilizim më i madh i qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit. Ai theksoi se krahas kësaj duhet të vazhdojë puna për largimin e deponive ekzistuese dhe të rriten gjobat për personat që e trajtojnë natyrën si vend për hedhjen e mbeturinave.

Musliu theksoi se përgjegjësia për ruajtjen e mjedisit është e përbashkët dhe kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve.

Sipas tij, në këtë proces rol kanë Komuna, ndërmarrja Eco‑Higjiena, Policia dhe vetë komuniteti.

“Pa bashkëpunimin e qytetarëve nuk mund të kemi sukses në ruajtjen e mjedisit. Prandaj i ftoj të gjithë që të njoftojnë Inspektoratin dhe Policinë për çdo vend ku shohin ndotje apo hedhje të mbeturinave,” ka thënë ai.

Eco Higjiena

Sipas tij, shumica dërrmuese e qytetarëve dëshirojnë një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm dhe jo pamje të ndotura që dëmtojnë natyrën dhe cilësinë e jetës.

Musliu bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit janë larguar disa deponi ilegale në fshatrat Pozheran, Skifteraj, Radivojcë dhe Beguncë.

Ai theksoi se Komuna e Vitisë dhe Drejtoria për Shërbime Publike janë të vendosura të vazhdojnë aksionet për largimin e deponive të tjera ilegale, me qëllim që qytetarëve t’u ofrohet një mjedis më i pastër dhe më i shëndetshëm./rajonipress/