ARKATANA

Mikpritje e ngrohtë me shqiptarët e Stambollit

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Reportazh – Gjatë vizitës së tij në Stamboll dhe Edirne, Reisi Nexhmedin ef. Saqipi u prit me respekt dhe mikpritje të veçantë nga komuniteti shqiptar që jeton në Turqi. Ai shprehu falënderim dhe mirënjohje të thellë për vëllezërit shqiptarë në Stamboll, të cilët me përkushtim të vazhdueshëm punojnë për ta ruajtur traditën, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar.

Sipas tij, shqiptarët e diasporës në këtë qytet të madh nuk janë ndalur asnjëherë së punuari për ruajtjen e gjuhës dhe traditave përmes shoqatave kulturore e artistike, xhamive dhe klubeve shqiptare që i kanë themeluar vetë.

Sultan Murat – një copëz Shqipërie në zemër të Stambollit

Një nga momentet më mbresëlënëse të kësaj vizite ishte ndalesa në lagjen Sultan Murat, në komunën Küçükçekmece të Stambollit. Kjo mahallë është e njohur si një nga vendbanimet kryesore të shqiptarëve në Turqi.

Në këtë lagje dëgjohet gjuha shqipe, ruhen zakonet dhe traditat shqiptare, ndërsa banorët shprehin krenari të veçantë për prejardhjen e tyre. Sultan Murat është themeluar në vitet 1963–1964 nga familje shqiptare të ardhura kryesisht nga Kumanova me rrethinë, Kosova, Shkupi dhe vise të tjera shqiptar.

Reisi Saqipi u shpreh krenar për shqiptarët që, edhe larg atdheut, vazhdojnë ta ruajnë me dashuri gjuhën dhe kulturën kombëtare.

Shoqatat shqiptare që mbajnë gjallë identitetin

Përmes aktiviteteve të shumta kulturore, artistike dhe fetare, shqiptarët në Stamboll vazhdojnë të mbajnë gjallë frymën shqiptare. Shoqatat dhe klubet shqiptare organizojnë aktivitete të ndryshme që forcojnë lidhjen me traditën dhe kulturën e tyre.

Uji Dea

Për këtë angazhim të vazhdueshëm, Reisi Saqipi shprehu falënderim të veçantë për aktivistët e komunitetit shqiptar, mes tyre zotërinjtë z. Rasimi, z. Xhelali dhe Yüksel, të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në organizimin dhe ruajtjen e jetës kulturore shqiptare në këtë zonë.

Iftar madhështor me përfaqësues nga Ballkani dhe Azia

Në kuadër të vizitës së tij, Reisi Nexhmedin ef. Saqipi mori pjesë edhe në një iftar të madh të organizuar nga dega e Partisë AK në Stamboll. Ky organizim mblodhi përfaqësues të shoqërisë civile nga Ballkani dhe Azia nën moton “Unitetin e kemi në shpirt”.

Në këtë iftar morën pjesë edhe përfaqësues të shumtë të shoqatave dhe federatave ballkanike që jetojnë dhe veprojnë në Turqi.

Në emër të nikoqirëve, përveç kryetarit të degës Abdullah Özdemir, të pranishmëve iu drejtua edhe nënkryetari i AK Partisë, Prof. Dr. Kürşat Zorlu, i cili është përgjegjës për marrëdhëniet me botën turke dhe shoqëritë farefisnore.

Takim me Myftiun e Rumanisë

Gjatë këtij iftari, Reisi Saqipi pati gjithashtu një takim të përzemërt me Murat Jusuf, Myftiun e Bashkësisë Myslimane të Rumanisë. Ata zhvilluan një bisedë miqësore dhe shkëmbyen mendime mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve myslimane në rajon.

Takime të tilla, sipas Reisit Saqipi, janë gjithmonë të vlefshme për forcimin e mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe lidhjeve mes komuniteteve myslimane në vende të ndryshme.

Në përmbyllje të kësaj vizite, Reisi Nexhmedin ef. Saqipi theksoi se shqiptarët në diasporë mbeten një pasuri e çmuar për kombin, pasi edhe larg atdheut vazhdojnë ta ruajnë gjuhën, traditën dhe identitetin kombëtar me krenari./Jetapress/