Hidromorava

Policia në Gjilan mban aktivitet sensibilizues për sigurinë e fëmijëve në trafik

/ 2 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësitit Sektorial dhe në Komunitet të Stacionit Policor në Gjilan, ka zhvilluar një aktivitet edukativ me fëmijët e kopshtit “Fjolla”, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për sigurinë në trafikun rrugor.

Gjatë ligjëratës me temën “Siguria në Komunikacion”, fëmijët janë njoftuar me rregullat bazë të trafikut dhe rëndësinë e respektimit të tyre për sigurinë personale dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

Mobi Casa

Pas pjesës teorike, aktiviteti është zhvilluar edhe në mënyrë praktike në rrugë, ku fëmijët, nën shoqërimin e edukatoreve të kopshtit dhe zyrtarëve policorë, janë njohur nga afër me vendkalimin për këmbësorë, shenjat e komunikacionit dhe mënyrën e sigurt të kalimit të rrugës. Gjithashtu, ata janë informuar për rëndësinë e sjelljes së sigurt gjatë qëndrimit në automjet gjatë udhëtimeve.

Policia e Gjilanit ka bërë të ditur se aktivitete të tilla kanë për qëllim edukimin dhe vetëdijesimin e fëmijëve që në moshë të hershme për rregullat e trafikut, me synim rritjen e sigurisë së tyre në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve./rajonipress/