Lugina kërkon reciprocitet me veriun
Bashkimi Evropian është duke luajtur lojën e dyfishtë sa u përket të drejtave të pakicave në shtetet e Ballkanit. Kur është fjala për çështjen e shqiptarëve në Serbi, Bashkimi Evropian këtë e sheh si çështje e brendshme e Serbisë, ndërkaq kur fjala është për serbët në Kosovë, BE këtë e koncepton si marrëdhënie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kështu të paktën konsiderojnë përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët kërkojnë reciprocitet ndërmjet veriut të Kosovës dhe jugut të Serbisë.
Belgzim Kamberi është analist politik dhe kryetari i të Drejtave të Njeriut në Luginën e Preshevës. Ai tha për “Zërin”, standardi i vendosur nga BE-ja për pakicat, krijon një pabarazi shumë të madhe për shqiptarët në Luginë. Kamberi ka thënë se me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, faktikisht është krijuar një shtet brenda shtetit.
“Unë mendoj se është autonomi politike dhe territoriale për serbët në Kosovë dhe faktikisht të gjitha atributet e një organi të cilit do t’i paraprijë krijimi i një shteti brenda shtetit. Domethënë Asociacioni është një institucion, etnitet i veçantë politik dhe juridik i cili e hemogjenizon brenda Kosovës dhe e lidh drejtpërdrejt me Beogradin. Pra e shndërron Kosovën në një shtet shqiptaro-serb realisht”, ka deklaruar Kamberi.
Përderisa, Serbia po krijon asociacion për serbët e saj, Kosova e Shqipëria nuk po bëjnë asgjë për shqiptarët e Luginës.
Kamberi ka thënë se për gjendjen e shqiptarëve në Serbi është përgjegjëse Kosova dhe Shqipëria, pasi që sipas tij, Kosova tash e sa vite ka pasur mundësinë që çështjen e shqiptarëve ta ngrejë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel dhe një gjë të tillë nuk e ka bërë. Kurse Tirana zyrtare, sipas tij, është mjaft e pranishme në forume të ndryshme ndërkombëtare dhe nuk ka bërë aq sa duhet për shqiptarët e Luginës./zeri/


