Uji Dea

Afrim Myrtaj nderohet me Mirënjohje për profesionalizëm dhe përkushtim në Policinë e Kosovës

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Në shenjë vlerësimi për angazhimin e vazhdueshëm, përgjegjësinë profesionale dhe kryerjen me sukses të detyrave zyrtare, zyrtari policor Afrim Myrtaj është shpërblyer me Mirënjohje nga Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Kolonel Agron Rukiqi.

Ky vlerësim institucional përfaqëson një dëshmi të qartë të standardeve të larta profesionale që Myrtaj ka ndërtuar ndër vite në shërbim të rendit dhe sigurisë publike, veçanërisht në kuadër të Njësitit të Hetimeve Kriminale në Gjilan, ku ai aktualisht ushtron detyrën.

Gjatë karrierës së tij policore, Afrim Myrtaj është dalluar për korrektësi, përkushtim ndaj ligjit dhe përgjegjësi në ushtrimin e detyrave zyrtare, duke fituar besimin e eprorëve dhe respektin e qytetarëve. Mirënjohja e ndarë nga drejtuesit e Policisë Rajonale vlerëson jo vetëm performancën profesionale, por edhe integritetin personal dhe etikën e lartë të punës.

Përvoja e tij jetësore dhe profesionale është e lidhur ngushtë edhe me periudhën e luftës çlirimtare, ku Afrim Myrtaj ishte një nga pjesëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I plagosur rëndë gjatë luftimeve, ai mbijetoi dhe sot vazhdon t’i shërbejë vendit në një tjetër front, atë të rendit dhe ligjit duke bartur me vete përvojën, disiplinën dhe ndjenjën e përgjegjësisë institucionale.

Uji Dea

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka vlerësuar se raste të tilla përbëjnë shembull pozitiv për zyrtarët e rinj policorë dhe dëshmi se profesionalizmi, përkushtimi dhe ndershmëria mbeten vlera themelore të institucionit.

Afrim Myrtaj, përmes punës së tij të përditshme, vazhdon të dëshmojë se shërbimi ndaj atdheut nuk përfundon me luftën, por vazhdon në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës.

I lindur dhe rritur në një familje intelektuale dhe thellësisht patriotike, Afrimi u edukua me ndjenjën e sakrificës për atdheun. Kur represioni serb po shuhej mbi shpresën e shqiptarëve, ai zgjodhi rrugën më të vështirë, por më të ndershme: iu bashkua luftës për liri me bindjen se liria nuk dhurohet, por fitohet.

“Luftën nuk e kam përkrahur kurrë si qëllim, por vetëm si mjet për paqe”, shprehet ai. “Ia dola t’i dal zot vendit dhe popullit tim.” ka thënë më herët Myrtaj./rajonipress/