Eko Higjiena

Nga Gjilani në arenën globale: Rrezelina Uka shndërron përvojën institucionale në sukses akademik ndërkombëtar

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Rrezelina Uka, zyrtare e prokurimit në Komunën e Gjilanit, po shënon një rrugëtim të veçantë profesional dhe akademik, duke dëshmuar se përvoja e ndërtuar në institucionet vendore mund të marrë peshë dhe vlerë edhe në skenën ndërkombëtare. Me punë të vazhdueshme, përkushtim dhe qasje shkencore, ajo ka arritur të pozicionojë ekspertizën e saj në fushën e prokurimit publik përtej kufijve shqiptarë.

Arritja e saj më e fundit është botimi i një monografie akademike-profesionale në fushën e prokurimit publik dhe qeverisjes së mirë, e publikuar nga GlobeEdit, imprint i OmniScriptum S.R.L. Publishing Group, një shtëpi botuese ndërkombëtare me seli në Gjermani dhe shtrirje botërore në Evropë, Afrikë, Azi dhe Amerikën e Jugut. Libri mban titullin: “Ndikimi i Prokurimit Publik gjatë Pandemisë COVID-19: Ndryshimet në Kornizën Ligjore dhe Roli i Prokurimit Elektronik”, duke e vendosur këtë botim në një platformë akademike globale.

Ky botim ka origjinën nga një punim shkencor i prezantuar më 8 maj 2025 në një konferencë shkencore ndërkombëtare në Tiranë, ku autorja u vlerësua pozitivisht nga komuniteti akademik. Pikërisht këto vlerësime nxitën interesimin e shtëpisë botuese për bashkëpunim, duke rezultuar në zgjerimin e punimit në një botim të plotë monografik.

Libri është botuar gjatë vitit 2025, mban ISBN: 978-620-9-20914-7 dhe është printuar në Berlin, Gjermani, në përputhje me standardet ndërkombëtare të botimit akademik. Ai është i qasshëm për audiencë akademike dhe profesionale ndërkombëtare dhe mund të porositet online përmes platformave përkatëse të botimit shkencor.

Përtej suksesit akademik, Rrezelina Uka po shënon edhe avancim të vazhdueshëm profesional. Ajo është përfshirë në bazën e ekspertëve dhe trajnerëve të Odës Ekonomike të Kosovës, për angazhime profesionale në fushën e prokurimit publik dhe ekspertizës institucionale.

Po ashtu, ajo ka kaluar me sukses fazën para-kualifikuese të Programit Kombëtar të Trajnimit për Certifikimin e Auditorëve të Brendshëm në Sektorin Publik, të shpallur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, duke u përzgjedhur në kuotën e kandidatëve për këtë program të rëndësishëm profesional.

Fundamenti

Njohës të fushës vlerësojnë se kombinimi i përvojës institucionale, angazhimit akademik dhe përfshirjes në programe të avancuara profesionale e bën profilin e saj një model zhvillimi të qëndrueshëm. Ky rrugëtim dëshmon se ekspertiza e ndërtuar në Kosovë është konkurruese dhe e vlefshme edhe në arenën ndërkombëtare.

Në një dedikim personal dhe emocional, Rrezelina Uka e lidh këtë sukses ngushtë me vendin e saj. Ajo shkruan se libri është një dëshmi e rrugëtimit të Kosovës pas luftës, një falënderim për shtetin që i dha identitetin dhe ëndrrën, si dhe një homazh për babain e saj, i cili i mësoi dashurinë për atdheun si trashëgiminë më të çmuar të jetës. Po ashtu, ajo shpreh mirënjohje për familjen dhe bashkëshortin, të cilëve u kushtohet çdo sukses i saj.

Rrugëtimi i Rrezelina Ukës përfaqëson një shembull frymëzues se si zyrtarët publikë nga Kosova, përmes dijes, punës së palodhur dhe përfshirjes në rrjete shkencore e profesionale, po kontribuojnë në ndërtimin e një imazhi pozitiv akademik dhe institucional të vendit.

Çdo rrugëtim fillon nga rrënjët. Nga familja që na rrit, nga fjala që na udhëzon dhe nga dashuria që na formëson. Ky libër lind nga një rrugë e gjatë përpjekjesh, sfidash dhe shprese, por mbi të gjitha nga mësimet e marra në familje. Babai im më mësoi se dashuria për atdheun është një trashëgimi që nuk zbehet kurrë, ndërsa familja ime ishte forca që më mbajti gjithmonë në këmbë. Ky libër është dëshmi e asaj rruge dhe një falënderim i përjetshëm për ata që më dhanë identitetin, besimin dhe guximin për të ëndërruar./rajonipress/