Vjedhja e telefonit, porosi nga nëntoka
Vjedhja e para ca ditësh në shtëpinë e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, me ç’rast atij iu mor telefoni nga persona akoma të panjohur dhe të paidentifikuar nga organet e rendit, nga analistët dhe njohësit e kësaj fushe po shihet si një sinjal për kryeprokurorin se nëntoka e inkriminuar mund të futet edhe në shtëpinë e tij, pavarësisht se atë e ruan policia
Pasiguria në Kosovë, më e madhe se asnjëherë më parë
“Konsideroj se kjo ngjarje tregon se çdo gjë në vendin tonë është e kontrolluar dhe e kapur nga mafia dhe nëntoka e inkriminuar, prandaj në këtë drejtim kërkohet një luftë e pakompromis, për t’i çliruar dhe shkapur institucionet nga mafia dhe krimi i organizuar”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi
Vjedhja e para ca ditësh në shtëpinë e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, me ç’rast atij iu mor telefoni nga persona akoma të panjohur dhe të paidentifikuar nga organet e rendit, nga analistët dhe njohësit e kësaj fushe po shihet si një sinjal për kryeprokurorin se nëntoka e inkriminuar mund të futet edhe në shtëpinë e tij, pavarësisht se atë e ruan policia. Por, ata besojnë fuqishëm se, pavarësisht kësaj ngjarjeje, kryeprokurori dhe prokuroria nuk do të lëshojnë pe dhe rastin do ta zbardhin deri në fund, por gjithashtu nuk do të ndalen për të vendosur rendin juridik në Republikën e Kosovës ndaj strukturave që mund të ekzistojnë në Kosovë, e të cilat merren me krim, nën përkrahjen e ndonjë politike eventuale apo ndonjë forme tjetër të krimit të organizuar. Ndaj në këtë drejtim është shtuar edhe dilema se a tregon kjo vjedhje ashiqare se nuk bëhet fjalë për një telefon, por për një shantazh që i bëhet kryeprokurorit të Shtetit nga nëntoka që ka mbërthyer institucionet shtetërore.
Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se pavarë- sisht se kush janë vjedhësit, hajna të rëndomtë apo të specializuar, hyrja në shtëpinë e kryeprokurorit të Shtetit për sigurinë e Kosovës thotë shumë, për këtë siguri siç e ka quajtur ai kaq të brishtë, kaq anemike e kaq joprofesionale, derisa sipas tij, në anën tjetër, dëgjojmë “muhalife” se Policia e Kosovës paska shpëtuar edhe Izraelin nga një terror i sigurt.”Pak anakronike, por duhet ta përpijmë këtë megallami dhe t’i kthehemi realitetit, përkatësisht ta pranojmë se shtëpia e prokurorit është vjedhur në kohën kur ajo shtëpi ruhet nga Policia e Kosovës. Prandaj, janë këto arsye pse themi se rasti në fjalë përçon mesazhe negative për pasigurinë totale që ka zyrtari i lartë në Kosovë. Po qytetari i rëndomtë çfarë mendon për fatin dhe familjen e vet?!”, theksoi ai.
Sinjal kërcënues
Sipas Dibranit, rasti në fjalë, sidomos në raport me prokurorin, duket si një kërcënim i drejtpërdrejtë për pasigurinë që ka ai, d.m.th. kjo vjedhje duket si një atak kundër tij, përkatësisht një sinjalizim për mundësinë e hyrjes në shtëpinë e tij kur të duan bosët e nëntokës.”Edhe në raste të tjera nuk janë zbuluar, e ky rast tregon se siguria dhe drejtësia në Kosovë janë në krizën më të thellë të ndërgjegjes dhe përgjegjë- sisë, derisa kjo që ka ndodhur është një papërgjegjësi e institucionit policor dhe atij të sigurisë”, u shpreh më tutje ai.”Si duket, nëntoka ka mbijetuar kaq mirë vetëm përmes shantazheve, kërcënimeve apo frikësimeve për ta sinjalizuar se ai është jo i siguruar, por i fiksuar për nëntokën, e cila i ka mbërthyer institucionet e Kosovës, ose në të kundërtën nëse prokurori i Shtetit ka mundësi të jetë pjesëmarrës edhe ai vetë në ndonjë rast delikat, për t’ia kujtuar dhe për ta frikësuar se edhe tek ai mund të arrijë nëntoka kaq e ashpër dhe kaq e kriminalizuar”, është shprehur për gazetën “Kosova Sot” analisti Shefqet Dibrani.
Shteti i kapur
Analisti tjetër, Naim Kelmendi, thotë se rasti në fjalë është shumë indinjues, ngase, sipas tij, ky fakt tregon atë se kur i vidhet telefoni, si elementi më personal apo më i afër i kryeprokurorit, madje kur kihet parasysh se një gjë e tillë ka ndodhur pikërisht në dhomën e tij të fjetjes. Kelmendi thotë se kjo tregon se mafia dhe nëntoka e kanë sinjalizuar atë se është shumë afër dhe në gjendje edhe për ndonjë veprim tjetër mbase të ndonjë natyre të ashpër.”Por, ky rast tregon po ashtu një veprim sinjalizues për shantazhim në kryerjen e detyrave të tij, sidomos kur kihet parasysh se që nga marrja e këtij posti Lumezi ka bërë disa veprime pozitive, madje edhe është zotuar se do të ndërmarrë veprime të pavarura në drejtim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ai. “Konsideroj se kjo ngjarje tregon se çdo gjë në vendin tonë është e kontrolluar dhe e kapur nga mafia dhe nëntoka e inkriminuar, prandaj në këtë drejtim kërkohet një luftë e pakompromis për t’i çliruar dhe shkapur institucionet nga mafia dhe krimi i organizuar”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi.


