Florent Hadërgjonaj ‘godet’ Kosovën, e pret thirrjen e Zvicrës!
Florent Hadërgjonaj është lojtari që kërkohet nga Përfaqësuesja e Kosovës. Mbrojtësi i djathtë i Ingolstadit në Bundesligë, ka ende mundësi ligjore për të luajtur për fanellën e vendit të vet.
Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaku, ka deklaruar se Hadërgjonaj do ta merrë vendimin në janar, se për cilën Përfaqësuese do të luajë. Ai deri më tani ka luajtur me U-21 të Zvicrës, shkruan Gazeta Olle.
Në një intervistë për “BILD-in” gjerman, të botuar tri ditë më parë, Hadërgjonaj, thekson se synimi dhe ëndrra e tij janë të zgjedhë Zvicrën para Kosovës.
“Teorikisht ende mund të zgjedh se për cilën Kombëtare mund të luajë: Zvicrën, Kosovën ose Shqipërinë”, thekson ai për ‘BILD’, raporton Gazeta Olle.
“Të luajë për Zvicrën do të ishte një hap tjetër i rëndësishëm në karrierën time. Momentalisht preferoj Zvicrën”, shtoi ai.
Hadërgjonaj është djali i Nexhatit dhe Adelinës, prindër nga Kosova. Menaxher i tij është Erdin Shaqiri, vëllai i Xherdanit.
22-vjeçari të shtunën bëri asistimin e parë në Bundesligë me Ingolstadin. Ai duket se Kosovën do ta zgjedhë vetëm nëse nuk e thërret Zvicra, por a duhet të mbetet vendi i tyre zgjedhje e dytë?


