Polarizimi dhe deliriumi politik në Kosovën e vitit 2025
Nga Shefik Sadiku – Zot i madh drejtoje këtë popull në rrugë të mbarë; Zot i madh mbushi mend këta liderë se pozitat politike dhe institucionale kanë afat skadence, por ndërgjegjjet e kthjellëta herdo kurdo nuk mund të gjejnë strehë për mbrojtje nga shiu dhe bora as për trupat fizikë të atyre ndërgjegjeve që kanë derdhë mllef e llum fjalësh padrejtësish mbi njerëz vetëm duke qenë të hipnotizuar në delirin maniak të çastit!
1.Kurrë nuk ka qenë skena politike më e polarizuar në fjalor, se sa kjo e vitit 2025, vit në të cilin Kosova jo vetëm që kaloi pa institucione legjitime, por po kalon ky vit plot tensione, lodhje, rraskapitje dhe shpresëthyerje për njerëzit.
2. Partitë politike nuk denjuan ta pranojnë fajin e mosformimit të institucioneve për një vit të plotë. Kjo flet për papërgjesi ndaj qytetarëve. Qytetarët kanë pasur 1001 arsye për ta ngritur zërin e protestës dhe kundërshtimit ndaj mospërfilljes së vullnetit të tyre nga liderët politikë.
3.Sa herë që reagimi qytetar mungon nga ana e qytetarëve, liderët ndihen komod në kapriqiot e tyre kryeneqe, jo për interesa madhore për vendin, por , thjesht për interesa të ngushta partiake dhe edhe më keq se kaq, për interesa dhe inate në mes liderëve. Në këto përplasje meskine të liderëve, qytetarët, jo të gjithë, por numër shumë i madh i tyre, fatkeqësisht, duke mos mundur t’i konceptojnë drejt lojërat e liderëve, ranë në grackën e tyre duke u barrikaduar në anët e kundërta të barrikatës me gjuhë denigruese, fyese, përçmuese jo pak herë edhe shantazhuese. Liderët e papërgjegjshëm bënin sehir nga anash me këto sjellje anuese e gjuhë polarizuese të votuesve potencialë të tyre duke qëndruar sikur ai pirromani që dhez zjarrin dhe qetas e me shumë ngazëllim shikon pasojat e produktit të vet.
4. Ndoshta do të ishte normale si gjithku në botë kur njerëzit acarohen në mes vete duke e humbur momentalisht sensin e arsyes edhe mund ta quajnë njëri- tjetrin hajn, kriminel e tradhtar, por kjo që ndodhi dhe po ndodh te ne është jashtëzakonisht nonsens kur kemi ardhur deri në atë gjendje që, turma e ndikuar nga liderët dhe zyrtarët partiakë, duke mos e përpunuar në intelektin e vet aspak mundësinë e një diçkaje të tillë, shqipton me afsh akuzat më morbide që mund të thuhen për rivalët politikë dhe idhtarët e tyre si tradhtar, bashkëpunëtor të Srbisë, si kriminel. Këto epitete drejtuar tashmë jo vetëm figurave qendrore politike, por masës! Kjo nëse nuk është afër çmendurisë, domosdo është përtej saj!
5. Për të qenë tragjikja e krejt kësaj edhe më absurde dhe abnormale për tradhtar “stolisen”edhe figura dhe familje me taban të madh kombëtar.
6. Zot i madh drejtoje këtë popull në rrugë të mbarë; Zot i madh mbushi mend këta liderë se pozitat politike dhe institucionale kanë afat skadence, por ndërgjegjjet e kthjellëta herdo kurdo nuk mund të gjejnë strehë për mbrojtje nga shiu dhe bora as për trupat fizikë të atyre ndërgjegjeve që kanë derdhë mllef e llum fjalësh padrejtësish mbi njerëz vetëm duke qenë të hipnotizuar në delirin maniak të çastit!


