Eko Higjiena

Pse në Kosovë heshtet kur duhet folur dhe flitet kur duhet heshtur?!

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Shefik Sadiku – Jo pak herë dhe në jo pak raste është folur dhe është shkruar për arritjet pas Luftës Çlirimtare në Kosovë. Mirëpo, për dështimet, defektet, dëmet, ngecjet dhe parregullsitë, nuk është folur dhe shkruar aq shpesh dhe në masë të duhur.

Pse ndodh kështu? Pse ky disproporcion? Pse ka më shumë fjalë dhe shkrime për arritjet, dhe më pak për ngecjet dhe dështimet?

Dikush e di përgjigjen. Madje shumë njerëz e dinë. Por, mjerisht, lavdërimet dhe elozhet drejtuar të fuqishmëve në Kosovë shpesh paguhen dhe shpërblehen, ndërsa kritika dhe gjykimi kundër dështimeve ndëshkohen dhe dënohen. Kështu, heshtja bëhet rregulli.

Pse heshtet? Sepse ai që flet dhe shkruan kundër keqpërdorimeve gjykohet dhe dënohet nga ata kundër të cilëve flitet. Kritika dhe gjykimi ndaj të fuqishmëve ndëshkohen sepse mundësia e tyre është thuajse e pakufizuar. Të fuqishmit janë sinonimi i pushtetarëve të veshur me pushtet absolut. Ata nuk japin llogari as qytetarit, as institucionit, as hetuesit, as prokurorit, as gjyqtarit.

Eco Higjiena

Pse ndodh kështu? Sepse zëri qytetar nuk dëgjohet, zëri individual sakatoset, dhe shpesh herë hetuesi, prokurori dhe gjyqtari janë të blerë, të shantazhuar ose të lidhur me të fuqishmit.

Në Kosovë, ai që lavdëron dhe i thur elozhe të fuqishmit; ai që të zezën e bën të bardhë, gënjeshtrën e shet si të vërtetë; ai që dështimin e stolis si fitore; ai që keqpërdorimin e shet për progres, dhe paligjshmërinë e shet për ligjshmëri, ai fiton, privilegjohet, ngritet në pozitë dhe prestigj.

Ndërsa ai që flet dhe shkruan kundër së keqes gjykohet, dënohet, anatemohet, demaskohet, denigrohet. Kështu ndodh që kur duhet folur heshtet, dhe kur duhet heshtur flitet.

Me heshtje të pavend, e keqja maskohet, me fjalë të pavërteta, e keqja “shitet” për të mirë.