Kryetari i Gjilanit shkel ligjin, ish-drejtorët emërohen si Ushtrues Detyre nga jashtë
Gjilan – Ditë më parë, Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, ka emëruar ish-drejtorë të drejtorive si Ushtrues Detyre (u.d.), veprim ky që dukshëm shkel dispozitat ligjore në fuqi, veçanërisht ato që rregullojnë qeverisjen lokale. Ky vendim erdhi në një moment kur Hyseni, duke mos pasur besim tek udhëheqësit aktualë të sektorëve të drejtorive komunale, zgjodhi t’i rikthejë ish-drejtorët në pozita të përkohshme udhëheqjeje. Një lëvizje e tillë nuk është thjesht formale, ajo krijon precedent shqetësues për stabilitetin, funksionimin dhe transparencën e administratës lokale, duke ngritur pyetje të mëdha mbi mënyrën se si udhëhiqet sot Komuna e Gjilanit.
Emërimi i personave të angazhuar politikisht nga jashtë në pozitën e Ushtruesit të Detyrës (U.D.) nuk përbën vetëm një praktikë të gabuar administrative, ai shkel drejtpërdrejt parimet themelore të funksionimit të institucioneve publike. Pozita e Ushtruesit të Detyrës ka karakter profesional dhe administrativ dhe nuk është as post politik, as post i besimit. Prandaj, personat e angazhuar politikisht nga jashtë nuk mund të emërohen në këtë pozicion, duke rrezikuar neutralitetin dhe stabilitetin e administratës komunale.
Sipas parimit të shërbimit civil dhe praktikës së konsoliduar administrative, ushtruesi i detyrës mund të caktohet vetëm nga radhët e stafit të brendshëm, në pozita profesionale ose menaxheriale, me qëllim të garantimit të vazhdimësisë së punës dhe përgjegjësisë administrative. Pozita e Ushtruesit të Detyrës nuk është post politik, as pozitë e besimit, por një rol strikt profesional dhe administrativ, i krijuar për të siguruar vazhdimësinë dhe stabilitetin e punës së institucionit gjatë periudhave tranzitore, sidomos pas largimit të largimit të drejtorit të mëparshëm. Ky rol siguron që vendimet dhe proceset të vazhdojnë të kryhen sipas ligjit dhe procedurave administrative, duke ruajtur integritetin dhe stabilitetin e institucionit. Për këtë arsye, ai duhet të ketë marrëdhënie paraprake pune në institucion dhe përvojë në procedurat administrative, gjë që e bën të pamundur emërimin e personave të jashtëm politikisht.
Për ta kryer këtë funksion, personi që merr këtë përgjegjësi duhet të jetë pjesë e brendshme e institucionit, me përvojë në procedurat administrative dhe me njohje të plotë të strukturës, praktikës dhe detyrimeve ligjore. Kjo kërkesë nuk është teori, është bazë e administrimit modern dhe parim i çdo shërbimi civil funksional. Pikërisht për këtë arsye, emërimi i personave politikë nga jashtë në rolin e U.D.-së është i pamundur, i paligjshëm dhe i dëmshëm. Një individ që nuk ka marrëdhënie paraprake pune me institucionin, nuk ka eksperiencë të brendshme administrative dhe nuk ka qenë pjesë e procesit profesional, nuk mund të garantojë vazhdimësi, qartësi procedurale dhe integritet institucional.
Sot në një kohë kur institucionet lokale duhet të jenë shembull i ligjshmërisë dhe profesionalizmit, zëvendësimi i roleve profesionale me emërime politike nga jashtë përbën një praktikë të rrezikshme, që minon themelet e administratës publike dhe krijon precedent të papranueshëm.
Në asnjë dispozitë të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale nuk parashikohet mundësia që Kryetari i Komunës të emërojë Ushtrues Detyre të Drejtorit të një Drejtorie komunale, qoftë për drejtorët e tanishëm apo ata nga qeverisja e kaluar. Çdo vendim në këtë drejtim është i pambështetur në ligj dhe i kundërshtueshëm me parimet e shërbimit civil.
Në një nga vendimet e nxjerra nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, dhe të cilin e ka siguruar gazeta “Rajonipress”, shihet se si bazë ligjore nga Kryetari i Komunës për emërimin e ish-drejtorëve janë përdorur dispozitat ligjore të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, respektivisht:
• Neni 13: “Kryetari i komunës ka të drejtë të nxjerrë urdhëresa dhe vendime brenda fushës së kompetencave të tij”.
• Neni 58, shkronja (f): Kryetari i komunës zbaton përgjegjësitë dhe është përgjegjës që të “emërojë dhe shkarkojë anëtarët e tij të cilët e ndihmojnë në kryerjen e detyrave”.
• Neni 60, paragrafi 60.2: “Nënkryetari emërohet nga Kryetari për të njëjtin mandat dhe shkarkohet nga Kryetari”.
Këto dispozita përcaktojnë kompetencat e përgjithshme të Kryetarit dhe procedurat për emërimin e anëtarëve të kabinetit të tij, si dhe të nënkryetarit, por nuk parashikojnë dhe as nuk mund të shfrytëzohen si autorizim për emërimin e Ushtruesve të Detyrës në drejtoritë komunale, qoftë për drejtorët aktualë apo ata nga qeverisja e kaluar.
Përdorimi i dispozitave që kanë të bëjnë me nënkryetarët, një pozitë e zgjedhur politikisht dhe e përcaktuar me mandat, për të arsyetuar emërimin e një u.d. drejtori, është jo vetëm i pasaktë, por e bën vendimin të pambështetur në ligj dhe formalisht të pavlefshëm. Në këtë rast, vendimi është marrë në kundërshtim me parimet e shërbimit civil, bie ndesh me kërkesën ligjore që u.d. të vijë nga struktura e brendshme dhe ka përdorur bazë ligjore të gabuar për qëllim tjetër nga ai që parashihet në nen.
Për këto arsye, vendimi duhet të shfuqizohet dhe procedura duhet të rikthehet në përputhje të plotë me ligjin.
Në një shtet të së drejtës dhe në një administratë lokale që synon të funksionojë mbi parimet e ligjshmërisë, profesionalizmit dhe transparencës, vendime të tilla nuk mund të trajtohen si çështje formale apo teknike. Emërimi i ish-drejtorëve politikë si Ushtrues Detyre nga jashtë strukturës institucionale nuk është vetëm shkelje ligjore, por një sinjal i qartë i keqmenaxhimit administrativ dhe i ndërhyrjes politike në shërbimin civil.
Mosrespektimi i procedurave ligjore dhe përdorimi i bazave të gabuara juridike për të justifikuar këto emërime krijon precedent të rrezikshëm, që minon besimin e qytetarëve në institucionet lokale dhe dobëson themelet e administratës publike. Nëse praktika të tilla normalizohen, atëherë çdo parim i shërbimit civil humb kuptimin dhe çdo institucion rrezikon të shndërrohet në instrument politik.
Bazuar në dispozitat ligjore dhe praktikën administrative të zakonshme, vendimet për emërimin e ish-drejtorëve si Ushtrues Detyre (u.d.) nga jashtë institucionit janë jo vetëm të pavlefshme, por edhe shqetësuese për stabilitetin e administratës komunale. Ky veprim duhet të tërhiqet menjëherë, duke respektuar procedurat ligjore që parashikojnë caktimin e ushtruesve të detyrës nga stafi ekzistues ose emërimin e drejtorëve të drejtorive sipas rregullave të qarta ligjore.
Për këto arsye, vendimet e tilla duhet të tërhiqen dhe të shfuqizohen pa vonesë, ndërsa Komuna e Gjilanit duhet të rikthehet në respektim të plotë të ligjit, duke garantuar që pozitat profesionale të udhëhiqen nga stafi i brendshëm dhe në përputhje me procedurat ligjore.
Vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet integriteti institucional, stabiliteti administrativ dhe besimi i qytetarëve në qeverisjen lokale. Mosrespektimi i këtyre procedurave krijon precedent të rrezikshëm dhe ngrit pyetje serioze për mënyrën se si po menaxhohet sot Komuna e Gjilanit./rajonipress/


