Fundamenti

Gjilani ka humbur ritmin e vet, frymën që e bënte të veçantë

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Ardian Azemi – Dikur, Gjilani ishte qytet që frymonte dije, kulturë, edukatë, sinqeritet…Ishte tempulli i njerëzve të urtë, të ndershëm e të ditur, vendi ku rritej rini me shpirt të pastër, me ideal dhe dashuri për atdheun.

Sot, mbi atë dritë është shtrirë një mjegull e rëndë. Gjilani ka humbur ritmin e vet, frymën që e bënte të veçantë. Në çdo qoshe ndien lodhje, zhgënjim dhe një heshtje që flet më shumë se fjalët.

Njerëzit ecin rrugëve të ngushta të jetës, të hutuar, të ngutur, pa e ditur kah po shkojnë. S’kanë më plane, as guxim për të menduar e për të ndryshuar vetveten. Është si të jetosh në një qytet ku shpirtrat janë bërë hijet e asaj që dikur ishin.

Në vend të parimeve, lulëzojnë interesat; në vend të ndershmërisë, mashtrimi; në vend të njerëzores, ftohtësia.

Politika, që duhej të ishte në shërbim të qytetit, e ka kthyer në shërbëtore të vetes.
Premtimet janë bërë ngjyrë mbi asfalt, vizatime të rreme për të fshehur mungesën e thelbit.

UBT

Gjilani, dikur simbol i dijes e i kulturës, sot është lënë anash, i harruar, i përdorur si hambar votash dhe terren për eksperimente të pushtetit.

Në vend të dinjitetit, mbizotëron dorëzimi. Në vend të ndriçimit, një errësirë morale që e ka mbështjellë çdo shpirt.

Sikur mbi këtë qytet të ketë rënë një mallkim.
Por ndoshta mallkimi nuk vjen nga qielli, ai lind nga heshtja jonë, nga pranimi i padrejtësisë si normalitet.

Thellësisht i bindur jam se përderisa heshtim, ajo errësirë do të mbetet.

Gjilani ishte ndryshe. Mund të jetë sërish, por vetëm kur ta kuptojmë se drita e qytetit nuk vjen nga rrugët, por nga njeriu.