Ndalohet një person për veprën penale Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i përgjithshëm, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësitin e trafikut në Gjilan, pas marrjes së informatës lidhur me një aksident trafiku, ku i përfshirë ka qenë i dyshuari me inicialet E.B i cili duke vozitur veturën BMW me targa 06-530-GS në aksin rrugor “Adem Jashari”, në qendër të qytetit me të arritur tek semaforët, i njëjti në udhëkryq humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe kalon jashtë rrugës në anën e djathtë duke goditur një pemë dekorative dhe më pas edhe një këmbësor dhe përfundon në oborrin e ish shtëpisë së mallrave në Gjilan.
Rasti është cilësuar si Rrezikim i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme nga neni 372 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe me vendim të prokurorit personi me inicialet E.B, është ndaluar për 48 orë, kurse sa i përket masës së sigurisë do të vendoset brenda afatit ligjor, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës penale njoftoi prokuroria e Gjilanit./rajonipress/


