UBT

Kur zëri i shoqërisë civile është dëgjuar në Luginë?!

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Nga Nexhmedin Saqipi – Në shtetet me demokraci të zhvilluar, zëri i shoqërisë civile zë vend të rëndësishëm në proceset vendimmarrëse, respektohet dhe merret seriozisht nga politika. Fatkeqësisht, në Luginën e Preshevës ndodh e kundërta: jo vetëm që ky zë nuk është dëgjuar, por shpeshherë është injoruar, ngulfatur dhe lënë në hije.

Kohëve të fundit, disa shoqata – të dala kryesisht si prodhim i partive politike – kanë reaguar në mbrojtje të Planit 7-pikësh të miratuar më shumë se një dekadë më parë nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ky plan, i cilësuar si dokument i rëndësishëm politik dhe kombëtar, në fakt është përdorur kryesisht për konsum të brendshëm, pa u shoqëruar ndonjëherë me përpjekje serioze për zbatimin e tij.

Pyetja që shtrohet është: ku ka qenë zëri i shoqërisë civile gjatë gjithë kësaj kohe? Pse nuk është kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje në proceset politike? Pse është heshtur, duke mbajtur “ison” e partive politike në pushtet?

Sot, kur politika tradicionale përballet me iniciativa të reja, si ajo e kryetarit të Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, shfaqet menjëherë një valë reagimesh të orkestruara, ku përfshihen edhe organizata joqeveritare që financohen e kontrollohen nga vetë partitë. Kjo nuk është shoqëri civile e pavarur, por një zgjatim i partive që kërkojnë të legjitimojnë veprimet e tyre përmes fasadës së organizatave joqeveritare.

Mobi Casa

Shoqëria civile e vërtetë duhet të mbrojë interesin publik, të jetë mbi partitë dhe të refuzojë çdo manipulim. Përndryshe, ajo humb misionin e saj dhe shndërrohet në një instrument përçarjeje, përfitimesh të ngushta dhe mbajtjeje të pushtetit.

E ardhmja do të tregojë qartë se kush e ka pasur sinqerisht qëllimin për të zgjidhur problemet reale të qytetarëve dhe kush e ka përdorur kauzën kombëtare vetëm si mbulesë për interesa personale, materiale dhe politike.

Prandaj, partitë politike në Luginën e Preshevës nuk duhet të manipulojnë sektorin joqeveritar duke e ndarë në klane e grupacione, por duhet t’i japin hapësirë të vërtetë shoqërisë civile që të luajë rolin e saj si faktor i pavarur, kritik dhe konstruktiv për të ardhmen e qytetarëve.
(Nga Shoqëria Civile për Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë: Nexhmedin Saqipi – kryetar)