Prokuroria e Gjilanit nis hetime kundër Sreçko Spasiq, i cili kërcënoi Arbër Eminin, kandidat për kryetar të Kllokotit
Gjilan – Prokuroria e Gjilanit ka nisur hetimet kundër Srecko Spasiqit i cili më kafiterinë “Fast Center” në Kllokot ka shkuar në tavolinën e Arbër Eminit duke e kanosur me fjalë të ndryshme në gjuhën serbe, duke i thënë se “çka po kandidon për kryetar të Kllokotit” për çka dyshohet për veprën penale “Cenimi i të drejtës për tu kandiduar”.
Prokuroria e Gjilanit sipas kryeprokurorit Arben Kadriu, tashmë ka nisur hetimin zyrtar kundër Sreçko Spasiqit i cili ka kërcënuar kandidatin për kryetar të Kllokotit Arbër Eminin.
Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar dhe ka autorizuar policinë e Kosovës që nga kamerat e sigurisë të nxirren video incizimet.
Sipas këtij autorizimi që është bazuar në ankesën e Arbër Eminit, më 9 shtator 2025, tek objekti afarist “Fast Center” derisa Arbër Emini ishte duke ndejtur me disa shok, tek tavolina e tij kishte shkuar personi Sreçko Spasiq dhe i njëjti e ka fyer dhe kanosur me fjalë të ndryshme në gjuhën serbe, sipas ankuesit i dyshuari iu ka drejtuar me fjalët se “çka po kandidon për kryetar të Kllokotit” për çka dyshohet për veprën penale “Cenimi i të drejtës për tu kandiduar”.
Prokurori i shtetit ka konsideruar se për të zbardhur rastin e kërcënimit janë të domosdoshme nxjerrja e video incizimeve nga kamerat e sigurisë në kafiterinë “Fast Center”.
Ndryshe Arbër Emini ka dhënë një deklaratë sot paradite rreth këtij kërcënimi.
“Unë, si kandidat shqiptar për kryetar të Komunës së Kllokotit, jam vënë në shënjestër të një fushate të orkestruar nga Qeveria Serbe. Pas sulmeve të kandidatëve të SNS-it të Aleksandër Vučićit, të Listës Serbe dhe të individëve të lidhur me BIA-n serbe, është e qartë se qëllimi i tyre është vetëm një: ta dëmtojnë kandidatin shqiptar dhe ta ndalin zërin e qytetarëve shqiptarë në Kllokot” ka shkruar në reagimin e tij Arbër Emini kandidat për kryetar të Kllokotit.
“Por unë dua të jem i qartë: Këto sulme nuk më frikësojnë, përkundrazi më japin forcë. As SNS, as Lista Serbe dhe as propaganda e Beogradit nuk do të ndalin vullnetin e shqiptarëve. Më 12 Tetor, shqiptarët do të tregojnë se nuk blihen, nuk shiten dhe nuk frikësohen dhe do të dëshmohet se pakica nuk mundet ta udhëheqë shumicën. Bashkë do të fitojmë, bashkë do të ndërtojmë një Kllokot të zhvilluar dhe me dinjitet për të gjithë qytetarët tanë” ka thënë Arbër Emini, Kandidat për Kryetar të Komunës së Kllokotit. /rajonipress/


