Rrëfimi i shkurt i një gurbetqari
Nga Demush Mehmeti – (Rrëfyer më 23 nëntor 2013)
“Kjo jetë – e shkurtë, shumë e rëndë… edhe shumë e dhimbshme!” – kështu e nisi rrëfimin Haxhi Ruzhdi Halimi nga fshati Terpezë e Vitisë, vjehrri i motrës sime, pensionist nga Gjermania pas 40 vitesh pune të pandërprerë.
Rrëfimin po e shënoj dhe e bart tek lexuesi me gjuhën e njëjtë arkaike me të cilën shprehej vetë Haxhia!
- “Ngo mik çka po të thom… je ma i ri, je me shkollë, ke qejf me ditë – edhe babën e ke pasë gurbetqar. Eh, me Delinë, babën tan, rahmet i pastë shpirtin atje ku është! Kur ardhsha prej Kilit në Ingolstad, kastile vija me e pa dhe me nejt me të. Tanë ditën e kalonim me muhabet, duke i qarë dertet, por edhe duke e faleminderu Zotin që kishim fëmijë e familje të mirë e në udhë të Zotit; folshim e folshim, kurrë nuk na soseshin fjalët…”
Haxhia ndaloi për pak kohë, i nguli sytë në qoshen e dhomës, sikur kërkonte çdo detaj të jetës së tij prej gurbetqari për ta rikujtuar dhe treguar. Më pas vazhdoi:
- “Tashti kur shkoj te djali, Basria, që punon e jeton në Ingolstadt, kur i shof ato karrige në park, ku kemi ndenjur me Delinë e kemi folë gjatë, lotët nuk po i nal dot. Kqyr çka po të thom – jo se e kam pasë mik e ti baba, por vallahi burr i mirë e i ëmbël ka qenë, zor me ia gjet shoqin.”
- “Mik, halle të mëdha kemi pasë atëherë. Ti i mban mend… por dikujt kur ia tregon, të thotë ‘kot’, nuk ja lidh, as nuk beson. Kur kemi shku në Gjermani, në vitin 1970, kemi qenë krejt të rinj. Po si thojnë – skamja derë hekuri, zor me e thy. E mbi shpirt, besomë, s’kemi pasë asgjë.”
- “Rrafsh 30 vjet kam nejt pa grua, pa fëmijë – si krejt shqiptarët – veç me fitu sa më shumë, me çu përpara shpien e vendin. Mas 30 vjetëve e mora gruan. Po vonë valla… e bekumja, e bame llom prej punëve. Bëmë mall shumë – puna e rëndë, pa mjete, jo si sot.”
- “Me fol drejtë, për një send jam i kënaqur: gruan, sa nejti në Gjermani, edhe pse e sëmurë, kam mujt me e kqyrë mirë – nuk ka hekë për spitale e barna të mira, as për kurgja që i nevoitet një të sëmuri.”
- “Në shehrin ku kam qenë, ishim 50 shqiptarë – sot jemi mbetë vetëm 6. Mik, po shumë i fortë jam kanë – fizikisht e shpirtërisht. Para çdo të rënde syri s’më kanë bër vrr. Djalin Fazliun, kur e përcolla për luftë prej Gjermanisë në Kosovë, pikë loti s’kam derdhë. Tanë jetën kam punu për ata fëmijë e për vendin tem. Ish koha, u dasht fëmija me e nda prej zemre, me ia dorëzu vatanit. E përcolla si burrat, ish kan ymerli, shkoj në luftë e u kthy i padëmtuar.”
- “Vallahi, tashti jam ligështu fort. Kur me vdiq gruaja në Gjermani, u dasht me e ngarku në aeroplan – prej Gjermanie për Turqi, prej Turqie për Kosovë. Shumë e rëndë ishte, si me t’u marrë huti. U nis aeroplani – ajo kufomë për në qiell, unë kufomë për së gjalli, mbi tokë.”
- “Besomë mik – jam hungj! S’më mbajtën ma kamtë. Ia nisa vajit si fëmijë, kam kajt me za – ia kajta krejt hapat, krejt hekat vetes e asaj. Eh, botë, o botë…”
- “Mik, t’thashë – tashti jam ba si fëmijë, për pak më dalin lotët. Ani kur i kujtoj vllaznit, shokët, miqtë që i kam pasë – kemi nejt si me ty. Shumë më kanë marrë malli… e nuk janë ma.”


