ARKATANA

Shala: Sanksionet e Bashkimit Evropian kanë bllokuar mbi 300 milionë euro

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Për shkak të mungesës së konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve, deputeti nga radhat e PDK-së Ferat Shala, thotë se miliona euro fonde ndërkombëtare mbeten të bllokuara, duke ndikuar në stagnimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Shala për GazetaBlic thekson se mungesa e konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve pas zgjedhjeve ka krijuar një vakum institucional, duke ndikuar negativisht në ekonominë e vendit, pasi që projektet po mbeten të parealizuara për shkak të kësaj situate.

“Sigurisht që mungesa e konstituimit të Kuvendit, gjegjësisht e institucioneve të dala pas procesit zgjedhor, ka krijuar një situatë vakuumi institucional dhe ka krijuar një situatë jo të favorshme për ekonominë e vendit dhe për të gjitha institucionet e tjera që kanë qenë direkt dhe indirekt të varura nga buxheti i konsoliduar i shtetit”, tha Shala.

“Nga shkalla e investimeve, nga mënyra e realizimit të projekteve, nga problematikat e thithjes së fondeve të Bashkimit Evropian e kështu me radhë pra, në total kemi qindra miliona euro që ne kemi mundur t’i kemi sot në implementim, por që fatkeqësisht sot fondet e caktuara kanë mbetur të parealizuara, të paalokura nga institucionet ndërkombëtare për shkak të mungesës së institucioneve”, shtoi tutje ai.

Shala thotë se ndërprerja e fondeve ndërkombëtare, përfshirë fondin MSSI dhe fondet e mjedisit, ka bllokuar mbi 300 milionë euro.

Ai gjithashtu kritikon korrupsionin në projekte infrastrukturore si një pengesë kryesore për zhvillimin.

Uji Dea

“Shumë fonde ndërkombëtare të planifikuara për Kosovën sot më nuk janë në implementim. Ne patëm ndërprerje edhe të fondit të MSSI-së, pastaj fondet e mjedisit. Edhe sanksionet e Bashkimit Evropian kanë bllokuar mbi 300 milionë euro. Në anën tjetër, ne kemi mosrealizim të projekteve infrastrukturore si rezultat i neglizhencës qeveritare dhe aferave korruptive me infrastrukturë. Është e dukshme që edhe pjesa e administratës dhe shërbyesve publik kanë shumë probleme, veçanërisht në mënyrën e menaxhimit dhe qeverisjen për shkak të vendosjes së militantëve në pozitat e sekretarëve dhe në pozitat e tjera të ushtruesve të detyrave”, u shpreh ai.

Sipas tij, sektori i energjisë me 1300 ndërmarrje themelore po i nënshtrohet presionit dhe sjelljes së papërgjegjshme të institucioneve

“Po e përmendi edhe pjesën e sektorit të energjisë tashmë 1300 ndërmarrje që janë baza e ekonomisë së vendit po i nënshtrohen një presioni dhe një sjellje jashtëzakonisht të papërgjegjshme të institucioneve të shtetit”, shprehet ai.

Shala bën thirrje për respektim të parimeve kushtetuese dhe rikthim të normalitetit në institucionet e Kosovës.

“Ne kemi bërë thirrje dhe jemi shumë të gatshëm që të japim kontributin brenda parimeve kushtetuese të Republikës së Kosovës, parime të cilat tash e 6 muaj Lëvizja Vetëvendosje, edhe me vendim të Gjykatës, tanimë janë të definuara që i kanë shkelur. Ne bëjmë thirrje që t’i kthehen normalitetit, kushtetutshmërisë, t’i kthehen frymës pozitive të bashkëpunimit dhe krijimit të institucioneve. Në të kundërtën, po e cenon rendin kushtetues me sjelljen arrogante, me sulme ndaj gjykatave dhe gazetarëve”, tha ai.

Ndryshe, zgjedhjet nacionale u mbajtën më 9 shkurt 2025, dhe pas gjashtë muajsh tentativash, Kuvendi ende nuk është konstituuar.