Rahimaj pret në takim përfaqësues nga OSBE-ja
Kamenicë – Kryetari i Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj së bashku me Drejtoreshën e Administratës së Përgjithshme Arlindë Sejdiu, kanë pritur në takim Drejtori i Qendrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan z.Igli Totozani me bashkëpunëtorë nga Zyra për Ligj dhe Drejtësi si dhe z.Faruk Dërmaku, përfaqësues i OSBE-së për Kamenicë.
Në këtë takim ata kanë diskutuar rreth punëve aktuale që Komuna e Kamenicës po bën si dhe kanë parë mundësitë e finalizimit të bashkëpunimit me Komunën e Ranillugut në raport me shërbimet që Komuna e Kamenicës jep për këtë komunë, proces ky i fasilituar nga OSBE.
Totozani ka vlerësuar lartë punën e Kamenicës në raport me Mekanizmin kundër Dhunës në Familje si dhe bashkëpunimin e deritanishëm.
OSBE ka kërkuar nga Komuna e Kamenicës që të vendos në rendin e ditës në Kuvendin Komunal rregulloren për mekanizmin koordinues lokal për mbrojtje nga dhuna në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.
Rahimaj ka shprehur gatishmërinë e plotë për përfundimin e këtij procesi si dhe ka thënë që Komuna e Kamenicës është e gatshme për hapa konkret dhe mbështetje për secilën kategori./rajonipress/


