Suksesi i radhës i “Tri dritare dhe një varje”
Pak ditë më parë filmi “Tri dritare dhe një varje”, nga regjisori Isa Qosja, ka triumfuar në kategorinë “Në frymën e lirisë” të festivalit të filmit “Jerusalem Film Festival” në Izrael. Pos trofeut ky çmim ka edhe vlerë monetare prej 4 mijë dollarëve.
Siç na bëri me dije regjisori i këtij filmi, profesor Isa Qosja, kompeticioni “Në frymën e lirisë” është kompeticioni kryesor për film ndërkombëtar në këtë festival, gjë që ia shton vlerën fitimit të këtij shpërblimi nga një film kosovar.
“Çdo çmim ka një rëndësi për kinematografi të reja, siç është kjo jona. Duke pasur parasysh faktin se tema e këtij filmi mund të shkarkojë energji dhe disponim në të dy kahet, pra edhe atë që dikush e aprovon e dikush dëshiron ta mënjanojë, vlerësimet me çmime në këtë temë janë një pranim absolut i dramës kosovare”, tha profesor Qosja në një intervistë për “Zërin”, duke komentuar rëndësinë që ka ky çmim dhe shtoi po ashtu se “kjo për ne është domethënëse dhe unë më tepër se çmimin e pranoj këtë fakt”.
Fitues në garën për film ndërkombëtar
Por, si e komenton regjisori i filmit marrjen e çmimit pikërisht në këtë kategori? Qosja na tha se kompeticioni që quhet “In the spirit of freedom” është kompeticioni kryesor për film ndërkombëtar.
“Ashtu si e ka Sarajeva ‘Zemra e Sarajevës’, Izraeli e ka këtë kompeticion të pagëzuar ‘Në frymën e lirisë’”. Kjo nuk e kategorizon kompeticionin tematikisht. Megjithatë, e pëlqej si të tillë të pagëzuar dhe filmi ynë kontribuon në këtë frymë, realisht dhe në mënyrë interaktive”, tha profesori, duke shtuar se në film flitet për një liri traumatike të një pjese të popullit tonë – dhe atë të pjesës më vitale, të gruas shqiptare.
Kësisoj, sipas Qosjes, filmi “Tri dritare..” e hapi edhe botërisht këtë tabu-temë te ne dhe ne sadopak kemi bashkëbiseduar me botën për fatin e keq të këtyre personave. “Tani të gjithë e dinë sa e rëndë e sa e egër ka qenë lufta këtu. Dhe për këtë fakt e vlerësoj këtë çmim”, tha regjisori.
“Çdo çmim për kinematografinë e Kosovës është me vlerë. Natyrisht, flas për festivalet e një niveli të pranueshëm. Megjithatë, ende nuk jemi në skenën e duhur të çmimeve. Këto janë vetëm shenja motivuese, por jo edhe glorifikuese, si i bëjmë ne nganjëherë”, komentoi regjisori rëndësinë që kanë për kinematografinë tonë çmimet sikur ky i Festivalit të Jerusalemit.
Image
Qosja: Çmimet për filmin, vlerësim i të kaluarës sonë
Por shpërblimi nga Izraeli nuk është i pari për këtë film të Qosjes.
Vlerësimet e çmimet paraprake profesori i quajti “vlerësim të një kohe dhe një populli për faktin se po pranohet prezantimi i një plage të rëndë”, duke shtuar se “jashtë dinë edhe të ta injorojnë këtë plagë për shkaqe politike. Ka pasur dhe ka fushatë që filmi të mos shihet dhe të mos vlerësohet. Megjithatë, kineastët dhe kinodashësit janë klasë e logjikshme dhe e drejtë në kuptimin e pranimit të realitetit artistik”.
Më tej profesor Qosja foli edhe për tematikën e filmit, duke cekur se ajo është tejet sensitive dhe kap nuanca psikologjike që nuk është e lehtë të trajtohen dhe sugjerohen po ashtu.
“Duhet të kesh zemër dhe guxim për të bërë ndërhyrje të tilla. Këta persona të lënduar dhe të cenuar fizikisht e psikikisht nuk është aq thjesht të trajtohen dhe prezantohen. Nuk varet kjo vetëm nga vullneti dhe informacioni i zhveshur”, tha profesori, megjithatë duke potencuar se prezantimi i dëshmisë për një luftë të tmerrshme përmes kësaj teme është një argumentim sa real aq edhe i rëndësishëm, si dhe mori shembull filmat e shumtë për tragjedinë e hebrenjve gjatë Holokaustit, kësisoj duke nxitur bërjen e filmave edhe përreth 20 mijë gra të dhunuara tek ne.
Madje, profesori nuk e përjashtoi mundësinë që filmi i tij të ketë provokuar e rizgjuar memorien kolektive të izraelitëve.
“Ndjeshmëria, nëse është ruajtur në memorien e një të kaluare të largët, edhe mund të jetë ndërlidhur me fatin e popullit atje dhe kjo flet për vlerat kolektive të një vendi. Kjo edhe neve mund të na tregojë se duhet arkivuar mirë dhembjen e popullit në kohëra të rënda”, tha ai, duke shtuar se megjithatë, filmi e ka edhe impaktin e vet emocional dhe po ta pranojmë këtë fakt, atëherë nuk mund ta shmangim tensionin dhe ndjeshmërinë.
Qosja: Nuk përjashtohet ideja e trilogjisë
Por një gjë na provokoi tek tematika e filmave të regjisorit Isa Qosja. A mund ta llogarisim “Tri dritare.. “ si vazhdimësi të tematikës që prek “Kukumi”. Nëse po, a mund të presim një film të tretë si pjesë të kësaj trilogjie të mundshme? “Unë flas për fatin e njeriut tonë kudo qoftë ai në të gjithë filmat. Në këta dy të fundit, në mënyrë të veçantë. Nëse ky fat është përcaktues i një trilogjie, atëherë mund të them se edhe projekti i ri do të sjellë një botë të brendshme tonën, por në një vend tjetër. Pra, nëse në këta të dy flasin për emocionin dhe momentet psikologjike përballë rrënimit shpirtëror, në të tretin si përbërës i këtyre elementeve gërshetohet edhe nostalgjia”, tha Isa Qosja, duke sqaruar se fjala është për skenarin e Albana Mujës, “Selvi”, që “është një prej përmbajtjeve më premtuese që kam pasur”, tha ai për “Zërin” dhe njashtu na sqaroi se ende janë në fazën e përpunimit final.
Për fund, profesor Isa Qosja na tha se akoma ka shpresë që në një të ardhme të afërt të prodhojmë filma më konkurrues për festivale ndërkombëtare.
“Shpresa vdes e fundit, thotë fjala popullore. Mos të kishim shpresa, atëherë nuk ia vlen prodhimi i këtij arti jo të lirë dhe madhështor. Gjer tani ta zëmë se kemi vrapuar edhe ne si të tjerët, por hapin ende nuk e kemi nxënë”.


