Në fshatin Ramnishtë ka filluar projekti i kanalizimit
Viti – Në fshatin Ramnishtë të Vitisë, sot ka filluar projekti i ndërtimit të kanalizimit që do të shtrihet në një gjatësi prej 7 kilometrash. Në ceremoninë solemne të fillimit të punimeve, pos strukturave komunale, ishin të pranishëm edhe banorë të Ramnishtës dhe mysafirë nga lokalitete të tjera.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka thënë se ky projekt i kanalizimit në Ramnishtë, ka qenë nevojë e kahershme, por sivjet është hyrë në listën prioritare të projekteve të komunës që të realizohet.
“Sot do të fillojmë të realizojmë projektin e kanalizimit këtu në Ramnishtë dhe besoj se në planin dinamik dhe në afatin e paraparë, do të kryhet ky projekt i mirëpritur nga qytetarët. Pas përfundimit të projektit të fshatit Lubishtë vitin e kaluar, jemi zotuar që sivjet të nisim edhe këtu. Në këtë mënyrë ne po shkojmë radhazi që të realizojmë projekte të kanalizimit edhe në ato fshatra që ende nuk e kanë të rregulluar rrjetin. Ramnishta nuk e ka vetëm këtë projekt sivjet, por ka edhe investime të tjera ngase si vendbanim është lënë anash një kohë dhe e kemi pasur parasysh edhe si qeveri komunale por edhe si Kuvend komunal, që ato nevoja dhe kërkesa të banorëve të Ramnishtës të fillojmë t`i përmbushim”, ka thënë kryetari Haliti.
Projekti i rregullimit të kanalizimit në Ramnishtë do të kushtoj afër 119.000 euro dhe financohet nga buxheti komunal i Vitisë./rajonipress/


