Xhaka: Fiorentina? Kam kontratë me Baselin
Kur mendohej se transferimi i Taulant Xhakës te Fiorentina ishte vetëm çështje procedurash, është vetë mesfushori shqiptar që ngrin gjithçka, duke u shprehur se aktualisht nuk ka asnjë pistë konkrete për të ardhmen e tij larg Zvicrës edhe pse ish trajneri i Baselit, Paulo Sousa vazhdon të këmbëngulë për ta transferuar në Toskanë.
Në një intervistë dhënë për mediat zviceriane, shqiptari thekson se ka një kontratë që e lidh me Baselin dhe nuk di asgjë rreth interesimit të skuadrës italiane.
Sipas gazetës “Basler Zeitung”, 24-vjeçari shqiptar mbetet një pikë referimi për mesfushën e skuadrës së drejtuar nga Urs Fischer, pasi ai mund të mbulojë shumë role në këtë repart ku mungesat e shuma për shkak dëmtimesh kanë shkaktuar një situatë kaotike.
Kjo e përditshme shton se Baseli e cilëson Xhakën si një element thelbësor dhe në këtë mënyrë mund të bëjë gjithçka për ta mbajtur në grup të paktën edhe një sezon.
Në ndeshjen e parë të sezonit të fituar 2-0 kundër Vaduz, Xhaka u aktivizua gjatë 90 minutave ashtu si edhe sulmuesi Shkëlzen Gashi, emrat e të cilëve janë lidhur me disa skuadra europiane gjatë javëve të fundit. /Telegrafi/SuperSport/


