“ISIS Ballkani”
Nga Burim Ramadani – Jo shumë kohë nga sot, do të mund të ballafaqohemi edhe frontalisht me terroristët e “ISIS-it Ballkanik” dhe organizatave tjera, që do të shfrytëzojnë motive burimore ballkanike, me sipërfaqje kryesisht etnike, me substancë ekstremiste islamiste dhe me metodologji kriminaliteti.
Ballkani do të mund të sulmohet nga një “ISIS” burimor. Edhe Kosova, po ashtu.Deri më tash, avantazhi ynë është se ekstremizmi islamist është importuar. Nga Lindja e Mesme, kryesisht. Nuk ka formësuar motive dhe as qëllime vendore.Periudha e ardhshme do të mund të ndryshojë këtë për të keq.
Të krijojë diçka burimore. Të këtushme. Që shfrytëzon motivet Ballkanike, qoftë me sipërfaqje etnike, qoftë fetare, qoftë pseudo-revolucionare.Jo shumë kohë nga sot, do të mund të ballafaqohemi edhe frontalisht me terroristët e “ISIS-it Ballkanik” dhe organizatave tjera, që do të shfrytëzojnë motive burimore ballkanike, me sipërfaqje kryesisht etnike, me përmbajtje ekstremiste islamiste dhe me metodologji kriminaliteti.
Një numër i madh i ballkansve, kryesisht shqiptarë dhe boshnjakë, por edhe të konvertuarit e rekrutuar midis serbëve dhe maqedonasve, i janë bashkuar organizatave terroriste që tashmë funksionojnë nën ombrellën e ashtuquajtur “ISIS”. Një varg kërcënimesh verbale dhe virtuale janë bërë ndaj shteteve dhe popujve të Ballkanit. Si rajon dhe jo veç e veç.
Pa dallim etnie, politike, historie apo feje.Thjesht, organizatat e terroriste e shohin Ballkanin si një, jo të ndarë.Strategjikisht, asnjëri prej shteteve dhe popujve ballkanik si i veçuar nuk paraqet vlerë speciale për “ISIS”. Vetëm si rajon komplet ka vlerë për terroristët globalë. Territori ballkanik i intereson strategëve dhe misionarëve të këtyre organizatave terroriste.
Së pari, Ballkani Perëndimor është ura lidhëse tokësore me Evropën. Së dyti, shtetet në këtë terroritor urë lidhëse janë jashtëzakonisht të brishta, me qeverisje të dobët dhe me probleme të vazhdueshme mes vete si pasojë e luftërave të përgjakshme etnik e territoriale.Qartësisht, Ballkani Perëndimor është “urë lidhëse e pafuqishme dhe me ndarje të thella nga brenda”.
Pikërisht, ndarjet e thelluara midis shteteve dhe popujve të Ballkanit, si dhe qeverisjet e dobëta mund të shfrytëzohen nga organizatat terroriste. Në këtë rajon, për të ndërtuar një situatë tjetër në dukje. Situatën ku luftërat e mëhershme në Ballkan do të mund të dukeshin si fetare dhe jo siç kanë qenë në realitet: etnike dhe territoriale.Prezenca e NATO-s në Ballkanin Perëndimor është një avantazh për ne, po ashtu. Porse, jo domosdoshmërisht një prezencë e tillë e garanton pamundësimin e shtrirjes së organizatave të till terroriste.
Ndoshta jo për pak muaj, as pak vite në vijim. Por, kjo s’ka fare rëndësi.Taza e hedhur se Ballkani Perëndimor paraqet “urën” strategjike të “ISIS” për Evropën po vërtohet e saktë. Kështu mund të vërtetohet edhe teza për një “ISIS Ballkanik”.Një grumbull organizatash terroriste do të mund të bashkohen kundër Ballkanit. Jo vetëm një. Sepse, tek e fundit, “ISIS” po kthehet në një brend apo ombrellë për të gjithë ata që synojnë që përmes terrorizmit të imponojnë ideologji të caktuar fetare.
E, motivet ballkanike mund të shfrytëzohen për të stimuluar lëvizjet ekstremiste deri në organizata terroriste.
Shtetet e Ballkanit, në anën tjetër, duhet të ndërtojnë qasje të përbashkët kundër këtyre kërcënimeve.Tejkalimi i shpejtë dhe i qëndrueshëm i tensioneve ndër-entike në Ballkan dhe largimi nga çfarëdolloj politike që rikthen Ballkanin në logjikat e luftërave entike e territoriale mund të jetë politika e përbashkët për të parandaluar një ballafaqim të tillë me ekstremistët burimorë. Janë disa veprime të shpejta dhe të domosdoshme që elitat politike në Ballkan duhet të ndërmarrin të ndihmuara nga SHBA-të dhe BE-ja, por bazuar plotësisht në vullnetin e vet politik.
Vendosja e raporteve ndër-shtetërore dhe të fqinjësisë së mirë, duke u bazuar në subjektivitetin e secilit shtet dhe komb, iniciativat e përbashkëta për të goditur fuqishëm krimin e organizuar dhe rrjetet e mëdha ballkanike të drogës e prostitucionit, sikurse edhe tejkalimi i qeverisjeve autokratike mund të ndihmojnë fuqishëm në parandalimin e formësimit të lëvizjeve ekstremiste burimore ballkanike.
Kjo do të thotë, mbi të gjitha, fazë e avancuar e ndrrimit të elitave politike. E qartë. Dhe, e domosdoshme.Fazë e avancuar për të ndërtuar nivelin e ri të stabilitetit dhe paqes në Ballkan.


