‘Zanzi’ drejtori
Nga Enis Veliu – Drejtori aktual i PTK-së, Agron Mustafa, mburret në rrjetet sociale, edhe kur kompania që ai e drejton po shkon drejt humnerës, kryesisht për shkak të thellimit të humbjeve financiare në raport me vitet paraprake.
Të hyrat e PTK-së gjatë vitit 2014 ishin rreth 30 milionë euro më pak, se ato të vitit paraprak, përderisa fitimi i kompanisë është përgjysmë më i ulët.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) për tremujorin e parë (TM1) të vitit 2015, të cilat flasin për humbje marramendëse, në kushte normale është dashur të shërbejë si alarm për Qeverinë e Kosovës, e cila është pronare e ndërmarrjeve publike në vend.
Mirëpo, çuditërisht të gjithë kanë mbyllur sytë karshi menaxhimit të vrazhdë që po i bëhet kompanisë më të madhe publike në vend.
Mustafa i ardhur në krye të Telekomit të Kosovës me përkrahje të fuqishme nga kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli, pavarësisht se menaxhimi i Aeroportit të Prishtinës nga ana e tij ka lënë shumë pikëpyetje të mëdha.
Ai kishte qenë menaxheri i cili kishte investuar miliona euro në Aeroport, derisa kjo ndërmarrje ishte në prag të koncesionimin.
Autobusët supermodernë që i kishte blerë Mustafa i kanë mbetur si “peshqesh” i vlefshëm për investitorët turq, ndonëse bëhet fjalë për shpenzime të parave publike.
Mustafa dhe Veseli e kanë trashur miqësinë në kafenenë e familjarëve të kryeshefit “Zanzibar”, nga thellësia e së cilit janë bërë politika “globale” për qeverisje lokale.
Madje pas një ahengu, zyrtarët e kësaj partie gjatë natës dolën dhe e kumtuan lajmin për prishjen e koalicionit me LDK-në, ndërsa kur u kaloi dehja, i ranë pishman.
Miqësia mes Veselit dhe Mustafës është trashur edhe më shumë gjatë viteve të fundit, pasi që këta të dy janë kuadro të universiteteve sllovene, ku kanë vijuar studimet e doktoratës, ndonëse për studimet paraprake të Mustafës janë ngritur dyshime edhe nga Prokuroria e Shtetit.
Se Mustafa është ngjitur në krye të PTK-së me përkrahjen e Veselit ky është një sekret publik, mirëpo është për t’u habitur se si i ka mbyllur sytë deri më tani për këtë çështje kryeministri Isa Mustafa.
Ky i fundit kishte reaguar menjëherë pas zgjedhjes së Mustafës në krye të PTK-së, duke e quajtur si një zgjedhje jo të duhur dhe do të mundohet sa më shpejt ta korrigjojë një gabim të tillë, mirëpo që nga ajo kohë kryeministri si duket e ka harruar atë çka kishte thënë në profilin e tij në “Facebook’ për kryeshefin e ri të PTK-së.
Një reagim i tillë i kryeministrit si duket ishte sa për t’i qetësuar të pakënaqurit brenda partisë së tij, e jo për t’ia lëkundur “kolltukun” në PTK kryeshefit të ri, i cili njëherësh është familjar i bashkëpunëtorit më të afërt të kryeministrit, Muhamet Musafës.
Si një doktor i ekonomisë, kryeministri Mustafa e ka të qartë se Agron Mustafa nuk është një menaxher i denjë për ta udhëhequr suksesshëm një kompani, si është PTK-ja, bazuar në rezultatet e tij paraprake në Aeroport. Të vetmen gjë që mund ta bëjë Mustafa është ta zhvleftësojë kompaninë dhe në fund t’ua shesë disa kompanive turke, të cilat kanë lidhje me biznesmenë shqiptarë. E që këto të zeza të mos i dalin në shesh, Mustafa në vazhdimësi po shqep para për mediume, të cilat në vazhdimësi po censurojnë çdo fjalë negative për të parin e PTK-së.


