ARKATANA

Kamberi: Vizita e kryeministrit, “isha sa me thonë”!

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Paralajmërimi i kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të vizituar Bujanocin dhe Preshevën, pa pasur në agjendë takimet në institucione lokale me të përzgjedhurit shqiptarë, ka nxitur reagime tek spektri politik.

Vizita e kryeministrit Vuçiq në këto komuna të banuara me shqiptarë, duke i “injoruar” ata, ka nxitur reagimin e deputeti popullor nga Lugina, Shaip Kamberi, i cili me këtë rast ka thënë se “Kuzhina popullore e Kryqit të kuq në Bujanoc nuk është vendi ku kryeministri i Serbisë do të diskutojë për problemet e shqiptarëve në Bujanoc”.

“Aq më tepër injorimi i institucioneve tjera lokale nga ana e tij dëshmon qartë mosgatishmërinë e kryeministrit për tu përballur me problemet e shqiptarëve. Ndërkohë që gjen kohë për takim të veçantë me krerët lokal serb në Banjën e Bujanocit”, shruan Kamberi në profilin e tij në Facebook, transmeton Titulli.com.

Me këtë rast deputeti nuk e sheh veten si pjesë e një takimi të cilën e quan formaliste dhe të tipit “isha sa me thonë”.

Belgzim Kamberi nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Preshevë thotë se vizita e Vuçiqit në Luginën e Preshevës është në shërbim të krijimit të imazhit dhe të një pozicionimi më të favorshëm politik në skenën ndërkombëtare, veçmas në Bruksel se Serbia po trajton çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Fundamenti

Sipas tij kjo i nevojitet tani në raport me Bashkimin Evropian, si për shkak të Kosovës (legjitimimin e krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe), ashtu edhe në raport me kapitujt që priten të hapen me Brukselin në raport me integrimet e Serbisë në BE.

“ Po paralelisht, Vuçiq vepron në shërbimin të homogjenizimit (partiak) të serbëve të Bujanocit për zgjedhjet ë radhës lokale, ashtu që të ndryshoj raportin e forcave politike në favor të serbëve në përgjithësi dhe të partisë së tij në veçanti”, theksoi për Titulli.com Belgzim Kamberi.

Kabineti i kryeministrit ka paralajmëruar vizitën e së mërkurës, ku sipas agjendës do ta fillojë në Qendrën Kolektive të emigrantëve në Preshevë, ndërsa në Bujanoc do të ndalet tek Kuzhina popullore e Kryqit të Kuq.

Më pas, në Banjë të Bujanocit ka paralajmëruar takim me përfaqësuesit serb nga kjo komunë, mirëpo në agjendë askund nuk përmendet takimi me liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës. /Titulli.com/