Gjykata e Apelit refuzon ankesën e Prokurorisë së Gjilanit, Shpresa Bakija lirohet nga akuzat
Prishtinë – Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti për krime të rënda që kryesohet nga Vahid Halili kryetar i trupit gjykues duke shqyrtuar ankesën e Prokurorisë së Gjilanit ka hedhur poshtë ankesën e saj në mungesë të provave e cila akuzohej për veprën penale “zbulimi i fshehtësisë”.
Gjykata e Apelit e Kosovës duke vendosur sipas ankesës së Prokurorisë Themelore të Gjilanit ka liruar nga akuzat Shpresa Bakijën, raporton rajonipress.
Kryetari i trupit gjykues Vahid Halili në aktgjykim ka thënë se ankesa e Prokurorisë së Gjilanit është e pa bazuar.”Gjykata e Apelit e Kosovës konstaton se pretendimet e mësipërme ankimore lidhur me shkeljet esenciale të cekura në ankesë nuk janë të bazuara. Aktgjykimi i ankimuar i shkallës së parë është i qartë dhe konkret, nuk përmban kundërthënie qoftë me vetveten ose me arsyetimin. Gjykata e shkallës së parë vlerësimin e ka bërë në harmoni të plotë ligjore” thuhet në aktgjykim.
Sipas Gjykatës së Apelit të Kosovës pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore të Gjilanit lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nuk janë të bazuara dhe se gjendjen e vërtetuar faktike nga ana e Gjykatës së shkallës së parë e aprovon edhe Gjykata e Apelit e Kosovës. “Nga kjo del se te një gjendje e tillë e vërtetuar faktike Gjykata drejtë e ka aplikuar ligjin penal kur të akuzuarën Shpresa Bakija e ka liruar nga akuza në mungesë të provave lidhur me veprat penale për të cilat është akuzuar”
Edhe avokati mbrojtës Shemsedin Pira tha për rajonipress se ky epilog pritej kaherë sepse në të gjitha zhvillimet procedurale, në mënyrë bindëse, argumentuese dhe e mbështetur në përgjegjësinë e saj profesionale Shpresa Bakija ka vërtetuar pafajësinë e saj” tha Pira.
Ndryshe trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, në qershor të këtij viti në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza të pandehurën Shpresa Bakija, ndërsa për të pandehurin Arben Arifi është shpall Aktgjykim refuzues, pasi që është arritur koha e parashkrimit të veprës penale.
E akuzuara Shpresa Bakija në cilësinë e personit zyrtar – kryeprokurore e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, dyshohej se në qershorin e vitit 2012 i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën që përbënë fshehtësi zyrtare, me qëllim të përfitimit personal ose me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të informacionit jashtë Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që tabulatet e mesazheve të siguruara në lëndën PPN.5/2012 përmes masave të fshehta i’a ka dhënë G. B. e të cilat më pas i njëjti i përcjell personit të paautorizuar në rastin konkret të pandehurit A. A.
Por trupi gjykues nuk kishte gjetur prova ndaj të pandehurës Shpresa Bakija dhe për këtë e ka liruar nga veprat penale: zbulimi i fshehtësisë zyrtare, shpërdorimi i pozitës ose autorizimit dhe cenimi i fshehtësisë së korrespodencës dhe bazave të dhënave kompjuterike./ rajonipress/





