Gashi me Coloradon, lider në Amerikë
Pas fitores së fundit, Colorado Rapids është në vendin e parë në Konferencën e Perëndimit. Shkëlzen Gashi edhe një herë ishte titullar
Sulmuesi shqiptar, Shkëlzen Gashi vazhdon me suksese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan albinfo.ch.
Skuadra e Colorado Rapids në SHBA, ku bën pjesë edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi, ka fituar në takimin e vlefshëm për javën e 32-të të kampionatit amerikan të futbollit me rezultatin 2:1 në shtëpi kundër San Jose.
Gashi ishte në fushë si titullar, por në minutën e 69-të trajneri i skuadrës vendosi ta zëvendësojë.
Me këtë fitore Colorado mori kryesimin e Konferencës Perëndimore duke u renditur në vendin e parë me 57 pikë, një pikë më shumë se Dallas i vendit të dytë. Forma mjaft e mirë e treguar nga Colorado jep shpresë se në fazën ‘play-off’ që fillon pas përfundimit të kampionatit të rregullt, ekipi i Gashit mund të arrijë të shpallet kampion i SHBA-ve.


