UBT

‘Kryeministri’ Kadri Veseli!

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Lavdim Hamidi – Kadri Veseli është kryetar i Kuvendit por ka kohë që po sillet edhe si kryetar i Qeverisë, duke e nxjerrë totalisht nga loja Isa Mustafën.

Ai ka tejkaluar tërësisht kompetencat e kryeparlamentarit, bën premtime e merr vendime si të ishte kryeministër.

Nuk heziton t’i premtojë nga 100 mijë euro shpërblim për secilin futbollist të Përfaqësueses së Kosovës, në rast të suksesit të tyre në kualifikimet për “Botërorin e Rusisë”, në vend se një premtim i tillë të dilte nga goja e ministrit të Sportit, Kujtim Shala apo edhe të kryeministrit të vendit, Isa Mustafa, i cili menaxhon me “kuletën” e shtetit.

Por, në një koalicion qeveritar ku kryeministri i vendit dhe shefi i partisë së dytë më të madhe në Kosovë, Isa Mustafa, nuk pyetet shumë as nga bashkëpartiakët e tij dhe kur pretendimet e ish-shefit të SHIK-ut për të marrë më shumë pushtet politik në vend janë të qarta, atëherë roli i shefit të Qeverisë zbehet aq shumë, saqë për punët e tij vendosin të tjerët!

Dhe në këto rrethana politike Veselit, që po dështon ta përmbushë planin legjislativ, i del kohë të merret me premtime në sektorin e sportit, të rendit, të arsimit apo të nënshkruajë marrëveshje me kompani investuese amerikane!

⃰ ⃰ ⃰

Realisht Isa Mustafa prej fillimit ka pranuar ta udhëheqë një kabinet qeveritar ku për ministrat e Listës “Srpska” është pyetur Aleksandër Vuçiq, përderisa për ata të PDK-së Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

KKVITI

Ai ka mundur të kënaqet me pushtetin politik vetëm mbi ministrat e partisë së tij, edhe pse tek shumica prej tyre jo pak ndikim kanë drejtuesit e partnerit të madh në koalicionin qeverisës (PDK).

Prandaj, humbja e fuqisë së tij politike nuk ishte diçka e papritur.

Mustafa nuk mund të jetë një kryeministër i fuqishëm derisa ka ndikim vetëm tek një numër i vogël i ministrave në një kabinet gjigand qeveritar dhe njëkohësisht duke dështuar t’i ketë nën kontroll të gjithë deputetët e LDK-së në Kuvend. Duke e humbur pushtetin në Qeveri ai dalëngadalë po humb edhe pushtet në parti.

⃰ ⃰ ⃰

Publikimi në medie i përgjimeve nga skandali “Pronto 2” ishte një mundësi e mirë për kryeministrin Mustafa dhe bashkëpartiakët e tij që ta rishqyrtojnë koalicionin me PDK-në, derisa shefat e kësaj të fundit dëgjoheshin në biseda të përgjuara teksa punësonin militantë në borde të kompanive publike, kurdisnin tenderë apo luanin “k ⃰ qe me amerikanë”!

Dalja nga koalicioni me një pretekst të tillë do të ishte një lëvizje taktike e LDK-së, derisa mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në qershor të 2018-s duket të jetë shumë joreale, duke u bazuar në zhvillimet politike në vend, moskalimi i Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend, kundërshtimet për Asociacionin, dështimin në liberalizimin e vizave me BE-në, etj.

Por, LDK-ja nuk e shfrytëzoi disavantazhin e kundërshtarit kryesor politik, madje për më keq, refuzoi edhe t’i komentojë përgjimet e tilla dhe për këtë shkak për punët e Qeverisë deri në shkuarjen e vendit në zgjedhje do të vendosë Kadri Veseli. Ndërsa Isa Mustafa do të mbetet një kryeministër i pafuqishëm dhe nën hijen e kryeparlamentarit, paradoks ky që nga krijimi i institucioneve të para qendrore në vend.