ARKATANA

Nëntëmbëdhjetë vite nga 1 Tetori i vitit 1997

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Nga Bujar Dugolli – Rinia e Kosovës, më 1 tetor të vitit 1997, doli në ballë të një lëvizjeje joviolente, duke zbatuar metodat aktive të një rezistence civile, e cila bëri jehonë të madhe në opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.

Regjimi i Millosheviqit, duke e shtypur me dhunë protestën e 1 tetorit 1997 dhe protestat tjera më pas, u diskreditua keq në sytë e faktorit ndërkombëtar, i cili e kuptoi, se dhuna, diskriminimi dhe shkelja sistematike e lirive dhe të drejtave njerëzore mbi popullatën shqiptare të Kosovës kishte arritur pikën kritike. Pas këtyre ngjarjeve, të cilat ishin të fundit para se në Kosovë të fillonte rezistenca çlirimtare e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, diplomacia ndërkombëtare u mundua t’i jepte shans paqes, me qëllim të inkurajimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës për të vazhduar me rezistencën dhe me protestat paqësore dhe në anën tjetër, duke inkurajuar procesin e dialogut ndëretnik për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Investimet, që shërbimi sekret serb kishte bërë për ta destabilizuar Shqipërinë (trazirat e vitit 1997), në mënyrë që bota të zhvendoste vëmendjen nga problemet e Kosovës, i thyem ne, studentët e Kosovës, ata të gjeneratës së vitit 1997.

Pas trazirave që ndodhen në Shqipëri, ku njerëz të ndryshëm vriteshin mes vete, pa e ditur qartë arsyen dhe kur mediet ndërkombëtare të influencuara nga propaganda serbe pasqyronin shqiptarët si njerëz primitivë dhe vrasës, ishim ne ata, që me rezistencën tonë kundër regjimit serb, mbuluam me pamje opinionin ndërkombëtar në mediat prestigjioze perëndimore me rezistencën civile qytetare dhe demaskuam regjimin shtypës serb mbi shqiptaret e Kosovës.

FIDANISHTJA

Me të drejtë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare pas protestës së madhe të 1 Tetorit 1997 deklaroi, se “Rinia e Kosovës ia ktheu ndërgjegjen e nëpërkëmbur shqiptarëve në botë”.

Lëvizja Studentore e viteve 1997 -1999 ka meritat e saj, ka bërë me nder dhe krenari pjesën e vet, në luftën tonë kombëtare për të dalë fitimtarë në rrugën e çlirimit, të lirisë dhe të ardhmes sonë të përbashkët kombëtare.

Vitet 1997-1999 mbeten vitet kthesë dhe përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Të gjithë Studentëve dhe Profesorëve Urime 1 Tetorin!

(Autori është ish-kryetari i Lëvizjes Studentore të ’97-s)