Gzim Misini hendbollisti që po shkëlqen
Gjilan – Klubi hendbollistik Drita është befasia më e madhe në Superligën e Kosovës në hendboll, KH Drita nga 9-të ndeshje të zhvilluara pozicionohet në pozitën e dytë të tabelës së klasifikimit.
Njëri ndër më të merituarit për këto suksese të “bardh e kaltërve” të Dritës është padyshim organizatori i lojës Gzim Misini i cili me paraqitjet e tija po shkëlqen gjatë këtyre 9-të javëve.
Misini për një fillim kaq të mbarë të skuadrës së tij ia dedikon të gjithë hendbollistëve të cilët po japin gjithçka nga vetja e tyre.
“Jemi mobilizuar si asnjëherë më parë, për këtë mobilizim meritë më të madhe ka Luan Sllamniku i cili tani e një kohë të gjatë po jep gjithçka nga vetja për të mirën e klubit, por edhe me rikthimin e disa hendbollistëve me përvojë në skuadër kanë bërë të arrijmë këto rezultate”, shprehet Misni.
Organizatori i lojës së hendbollistëve të Dritës, Gzim Misini nuk e kishte paramenduar një sukses të tillë para fillimit të edicionit të garave.
“Skuadra e Dritës tani e një kohë të gjatë ka pasur kriza të mëdha në organizimin e skuadrës, por dëshira e madhe e hendbollistëve për paraqitje sa më të mira ka bërë të na rriten apetitet drejt kreut të tabelës pasi skuadra e Besës nga Peja është e pa konkurrencë në hendbollin e Kosovës tani e disa vite”.
Në ndeshjen e javës së 10-të, Drita do të udhëtojë në Mitrovicë ku do të takohet me Trepçën. “Do të jetë derbi i javës, do të japim maksimumin që të kthehemi të pa mposhtur nga qyteti i Minatorëve”, shprehet lideri i skuadrës Misini.
Misini ka një porosi të veçantë për shumë dashamir të hendbollit të qytetit të Gjilanit.”Qyteti i Gjilanit ka një traditë të madhe të hendbollit, nga ky vend kanë dalur emra të mëdhenj të hendbollit, është koha që së bashku me qytetarët e Gjilanit të rikthejmë namin që kishim dikur”, shprehet hendbollisti i Dritës, Gzim Misini./rajonipress/


