Qeveria të bëjë zgjidhje të përhershme për pensionet e veteranëve
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Smajl Elezaj, i është përgjigjur shqetësimit të ministrit të Financave, Avdullah Hoti, se Qeveria nuk ka buxhet të mjaftueshëm për pensionet e veteranëve.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Elezaj i ka bërë thirrje Qeverisë të bëjë një zgjidhje të përhershme sa i përket buxhetit për pensionet e veteranëve.
Ai ka thënë se për ta tejkaluar këtë krizë, Qeveria mund t’i marrë mjetet nga Fondi i Privatizimit.
Elezaj ka thënë se përfaqësuesit e FMN-së kanë kontaktuar edhe me OVLUÇK-në dhe, sipas tij, ata nuk përzihen deri në atë masë siç po deklarohen zyrtarët qeveritarë. “Dyshoj se mungon vullneti nga ana e institucioneve për të bërë një zgjidhje të përhershme për pensionet e veteranëve”, ka theksuar ai, duke shtuar se thirrja e tyre konkrete për Qeverinë është se të gjithë veteranët e UÇK-së duhet të paguhen.


