Nëse ratifikimi bëhet njëanshëm, kriza do të thellohet edhe më shumë me Asociacionin
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar dje se në ditën kur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të dërgohet për votim ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion kufitar me Malin e Zi, jashtë do të protestohet.
E partia e cila deri muaj më parë ishte përkrah VV-së në cdo protestë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar se nuk merr pjesë, derisa Nisma për Kosovën ka thënë se ende nuk ka marr ndonjë vendim, transmeton Indeksonline.
Lidhur me këtë, analisti Behlul Beqaj ka thënë në një prononcim për Indeksonline se s’do mend që protesta e paralajmëruar është në frymën e mënyrës së përcaktimeve politike të Vetëvendosjes.
Sipas tij, duke marr parasysh tensionet që janë krijuar brenda një periudhe relativisht të gjatë rreth edhe kësaj çështje, paralajmërimi i Vetëvendosjes për protestë është pasojë e logjikshme e rrugës që është ndjekur gjatë tërë këtij procesi të papërfunduar.
“Mendoj se është duke u ushtruar një presion iracional i dyfishtë ndaj qytetarëve të Kosovës. Në njërën anë pushteti me mbështetjen ndërkombëtare kërkon kategorikisht implementimin e marrëveshjes, në anën tjetër,Vetëvendosja ndoshta edhe pjesa tjetër e opozitës dhe një pjesë e shoqërisë civile po bënë presion që kjo marrëveshje të mos ratifikohet.. Me këto kontradikta asnjë qëllim nuk arsyetohet, meqë si pasojë të këtyre veprimeve kemi vetëm shkallëzimin e krizës deri në fillim të konfliktit brenda kombëtar”, ka thënë Beqaj.
Sa i përket pjesëmarrësve në protestën e paralajmëruar, analisti Beqaj ka thënë se protesta është test se sa e mbështesin qytetarët qëllimin për të cilin është bërë thirrje të mblidhen.
“Protesta e paralajmëruar është edhe një test serioz për nivelin e mbështetjes së qytetarëve karshi qëllimit të saj, test karshi pjesës tjetër të opozitës nëse nuk i bashkohet dhe test i sinqeritetit mes ish bllokut opozitar se sa ata me të vërtetë e kanë pasur marrëveshjen për shënimin e kufirit argument të rezistencës së përbashkët me interes kombëtar, e sa pretekst për të ardhur në pushtet. Për mua numri i protestuesve është irelevant karshi (pa)aftësisë së argumenteve që po përdoren si arsye për ratifikim apo mos ratifikim”, ka theksuar Beqaj.
Ai ka vlerësuar se zgjidhja e vetme për të dal nga kjo situatë është të arrihet një kompromis i dëshiruar, pa u thelluar edhe më shumë kriza në të cilën është vendi.
“Nuk ka shumë kohë, prandaj duhet përqendrim maksimal që me ngulm për të arritur kompromisin e dëshiruar,meqë, nëse ratifikimi bëhet në mënyrë të njëanshme do të kemi thellim të krizës ende pa u hapur problemi edhe më i madh i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”, ka përfunduar Beqaj. /Indeksonline/


