Beqaj: Haradinaj po tregohet i pafuqishëm, Kurti internacionalist
Analisti Belul Beqaj ka folur për liderët politikë në Kosovë dhe fuqinë e tyre politike, pas shkuarjes së Presidentit, Hashim Thaçi, në vizitë tek memorialët e serbëve të vrarë në Gorazhdec.
I pyetur nëse do guxonte një tjetër lider të bënte një veprim të njëjtë, Beqaj ka thënë se nuk bënë të krahasohen të gjithë liderët politikë nga kriteri i njëjtë, e as nga ky kriter.
Ndërsa, derisa ka folur për liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se kohëve të fundit Haradinaj është treguar i pafuqishëm me politikat e tij.
Beqaj ka folur edhe për Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas Beqajt, për Kurtin është formuar një opinion jo i drejtë.
“Me Kurtin kam qenë në zyrë kur kemi punuar me Adem Demaçin. Kurti nuk është i tillë çfare është perceptimi i ndërkombëtarëve për të”.
“Ai është i civilizuar dhe i hapur, ai është globalist, por që dëshiron të ruajë dinjitetin kombëtar”.
Beqaj për Thaçin: Kalkulant, manipulues dhe propagandistik
Veprimet e fundit të Hashim Thaçit, ku Presidenti po viziton memoriale të serbëve të vrarë pas luftës në Kosovë, analisti Belul Beqaj, i ka quajtur jo të sinqerta dhe për qëllime përfitimi.
“Hashim Thaçi me këto veprime ka qenë kalkulant, manipulues dhe propagandistik”, ka thënë Beqaj në Info Magazine.
“Unë e kuptoj se ai dëshiron të vesh petkun e pëllumbit, e të zhvishet nga etiketa e gjarprit, por këto veprime është dashur të bëhen me kohë, megjithatë edhe përse të vonuara efektin e kanë, të paktën propagandistik”.
Por, sipas Beqajt “veprimet e presidentit, po tregojnë se sa më shumë që ai po i afrohet serbëve po i largohet vetës”.
“Por nuk është se Presidenti do i bindë serbët se do i trajtojë njëjtë sikurse shqiptarët”.
“Nuk po them se është veprim i gabuar. Jo vetëm ky, secili prej nesh ka nevojën të transformohet, por jo të bëhet transformim vetëm për pushtet. Transferimi duhet të bëhet për nevojën e natyrshme që të gjithë të jemi të barabartë”.


