Deputetët kërkojnë zbardhjen e sulmit në Kuvend
Parlamentarët e Kosovës përmes një deklarate të përbashkët kanë dënuar sulmin e së enjtes mbrëma ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës. Ata kanë kërkuar nga institucionet e vendit që të marrin masat e duhura dhe autorët e sulmit të nxirren para drejtësisë. Në deklaratën e miratuar në Kuvend thuhet se përfaqësuesit e popullit e dënojnë sulmin kriminal, pasi që, sipas tyre, ky është sulm kundër shtetit, interesave të qytetarëve dhe vlerave politike e demokratike.
“Kërkojmë nga institucionet të marrin masat e duhura ta zbardhin këtë sulm qyqar. Kuvendi u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për zbardhjen e këtij akti kriminal”, thuhet në deklaratë.
Por, para se të miratohet në seancë deklarata e përbashkët e grupeve parlamentare, që dënon sulmin në objektin e Kuvendit të Kosovës, ndërmjet deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe LDK-së është zhvilluar një debat i ashpër. Deputetët e LVV-së i kanë quajtur ata të LDK-së “të shtypur”, ndërsa deputetët e LDK-së i kanë vlerësuar si të “dhunshëm” deputetët e LVV-së, duke ua kujtuar hedhjen e gazit, si dhe sulmet me molotov ndaj objektit të Kuvendit./zeri/


